Në pallatin Schloss Potzneusiedl në Vjenë është mbajtur ekspozita personale e piktores kosovare Laureta Vinca Mulliqi. Përmes 20 portreteve, Vinca Mulliqi paraqiti gruan, dhimbjen dhe shpresën, si dhe kujtimet e emocionet e saja.
Kuratori i ekspozitës dhe organizatori Johann Gunther , vlerësoi lartë jetën dhe veprën e Vinca Mulliqit. Poashtu, artisti dhe Prof. Ing. Peter Kotauczek krahasoi atë me piktorin e njohur Modigliani: “Një kontakt me Modiglianin. Ashtu u ndjeva kur pashë pikturat e Laureta Vinca Mulliqit. Kjo ishte ndjenja ime spontane, Modigliani pra. Fryma e tij ishte shtrirë në veprat e ekspozuara të artistes”, u shpreh ai në një fjalim të veçantë. Punën e piktores kosovare e lavdëroi edhe konsull nderi Ing. Gerhard Egerman i cili përveç fjalimit, kontribuoi duke shtruar drekë për këtë aktivitet për të gjithë të pranishmit.
Në ekspozitë të pranishëm ishin dhjetëra persona, në mesin e të cilëve kishin ardhur bashkatdhetarët si edhe mysafirë që kishin udhëtuar nga vendet e tjera si Gjermania e Zvicra siç ishte edhe E.Balogh: “Kam bërë 400 km që të vij të shoh këtë ekspozitë. Ka shumë kosovarë aty ku jetoj unë në Gjermani, prandaj kisha shumë interesim të shoh për së afërmi edhe veprat e një piktoreje nga Kosova. Jam e fascinuar. Dua që të gjitha t’i kem pjesë të koleksionit tim”, e cila e entuziazmuar zgjodhi një pikturë për koleksionin e saj, përcjell KultPlus.
Këtë ngjarje e përcollën gazetat dhe televizionet vjenezë, ku edhe së shpejti po përgatitet të dalë dokumentari në televizionin publik të Vjenës.
Sponsor të organizimit të kësaj ekspozitë ishin: Bit media –member of eee group, Ambasada e Kosovës në Vjenë dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.