Ministria e Kulturës ka shpallur rezultatet e konkurseve vjetore për financimin e projekteve me interes nacional në kulturë për këtë vit. Sipas ministres së Kulturës, Irena Stefoska, kishte vërejtje për aplikantët që nuk kanë pasur dokumentacion të kompletuar, ndërsa disa herë përsëriti se rezultatet e punës së komisioneve janë të besueshme sepse anëtarët në të janë kompetentë dhe kanë integritet, shkruan Portalb.mk.
“Jam e zhgënjyer me faktin që disa prej aplikantëve, përfshirë institucionet kombëtare, kërkuan shuma të pahijshme, dhe së dyti, që disa prej tyre kërkuan fonde për projekte që për shkak të kufizimeve të pandemisë, si në vendin tonë ashtu edhe në botë nuk mund të realizohen. Sa i takon kritereve të vlerësimit, këtë vit është aplikuar një model i ri për përcaktimin e vlerësimit të pikëve” tha ajo.
Kryetarët e komisioneve që shqyrtuan aplikacionet janë: Vesna Dimovska (Botime), Firdaus Nebi (Aktivitetin Dramatik), Emin Gaxha (Folklor), Branka Kostiq-Markoviq (Muzikë), Sonja Abaxhieva (Arte Pamore), Zoran Petrovski (Projekte Ndërdisiplinore), Jane Bakevski (Veprimtari Ndërkombëtare), Ljuljeta Abazi (Trashëgimi Kulturore), Frosina Zafirovska (Veprimtari Muzeale), Sllavica Sërbinovska (Veprimtari Bibliotekare).
Buxheti i këtij viti është shkurtuar shkaku i parregullsive të konkurseve të më hershme, për të cilat po punojnë hetuesit dhe revizioni.
Ministrja e Kulturës, Irena Stefoska në pyetjen e Portalb.mk, në lidhje me ndërprerjen e pagesave për projektet kulturore për vitin 2020 nga ana e Qeverisë, tha se pret që institucionet kompetente ta mbarojnë punën e tyre.