Në “Ditët e Alfabetit”, rinjohja e ballkanologes Olivera Jashar Nasteva

Në kuadër të manifestimit kulturor–shkencor “Ditët e Alfabetit” në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore i Shqiptarëve në Shkup (ITShKSh), dita e sotme iu kushtua ballkanologes Olivera Jashar Nasteva. Ajo ishte figurë poliedrike shkencore, cila rridhte nga një familje e njohur e kohës – gjyshi i saj Jashar beu ishte përfaqësues i Shkupit në Lidhjen e Prizrenit, kurse babai Emin beu pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit.
Në fillim, drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani, tha se Olivera Jashar Nasteva ishte një thesar i madh kulturor dhe shkencor, produkt i familjes së njohur shkupjane Kumbaraj, e cila familje kishte dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, me theks të veçantë në zhvillimin e arsimit dhe kulturës. “Dorëshkrimet e shumta dhe me shumë interes që i kemi në dispozicion, të cilat kanë të bëjnë me gjuhën dhe kulturën shqipe, nga studiuesit tanë do të sistemohen dhe botohen së shpejti në një edicion të veçantë. Kontributi i saj do të përjetësohet dhe nuk do të harrohet asnjëherë”, theksoi Asani.
Më pas, profesori shumëvjeçar në Universitetin “Kirili dhe Metodi” të Shkup, studiues i temave të ndryshme didaktike, pedagogjike, albanologjike dhe historike, Avzi Mustafa, i cili ishte edhe student dhe më vonë kolegë i profesoreshës në fjalë, referoi në temën: “Olivera Jashar Nasteva, pedagoge e shkëlqyer, shkencëtare e papërsëritshme dhe humaniste e veçantë”.
Ndërsa, Dimitar Pandev – profesor shumëvjeçar në Universitetin “Kirili dhe Metodi” – Shkup, studiues, linguist dhe ballkanolog i njohur, i cili për disa vite ka qenë edhe asistent i prof. Oliverës, në Fakultetin e Filologjisë pranë Universitetit të Shkupit, ndau kujtime nga puna me të dhe aktivitetet e shumta shkencore të saj në katedrat universitare, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve, etj.
Studiuesi dhe këshilltari shkencor, Qemal Murati, autor i dhjetëra veprave shkencore nga lëmi i albanologjisë, i cili me një zell të veçantë është duke lëvruar edhe në fushën e ballkanologjisë, u paraqit me temën: “Olivera Jashar-Nasteva – figurë qendrore e ballkanologjisë shkencore”.
Hidajete Azizi – studiuese dhe bashkëpunëtore e lartë shkencore në ITShKSh-Shkup, e cila po merret në mënyrë mjaft serioze me probleme të caktuara të gjuhësisë, dhe veçanërisht lidhur me interferimet mes shqipes dhe gjuhëve ballkanike, referoi në temën “Kontributi i Olivera Jashar-Nasteva për ballkanologjinë”.
Dhe në fund, Zeqirija Ibrahimi – studiues dhe bashkëpunëtor i lartë shkencor në ITShKSh-Shkup, i cili preokupim kryesor e ka gjuhën standarde shqipe, por edhe krahasimet mes shqipes dhe maqedonishtes, u paraqit me temën “Olivera Jashar Nasteva, si fat i njeriut ballkanik”.
Të gjitha punimet e prezantuara do të botohen në edicionin e radhës të “Ditëve të Alfabetit”. Dita e nesërme e këtij manifestimi i kushtohet arkeologes së njohur – Exhlale Dobruna-Salihu.
Për shkak të gjendjes aktuale me pandeminë, aktivitetet e sivjetme po zhvillohen duke respektuar protokollet e Ministrisë̈ së Shëndetësisë̈ dhe kryesisht pa praninë̈ e publikut të gjerë!

????????????????????????????????????