NË KODRËN E DIELLIT U PROMOVUAN SHTIGJET E SHËNUARA PËR BIÇIKLETA DHE “KROS-KANTRI”

Shoqata “Klubi Malor- Shara Ski Tetovë”, sot ka promovuar shtigjet e shënuara për “kros- kantri” dhe për çiklizëm në Kodrën e Diellit.
“Qëllimi primar i Projektit është shënimi i shtigjeve ekzistuese për “kros- kaltri” dhe për çiklizëm në Kodrën e Diellit. Qëllimet sekondare të Projektit janë përmirësimi i faktorëve motivues dhe ofertës turistike, me qëllim rritjen e të ardhurave turistike, si dhe zhvillim të turizmit në Kodrën e Diellit”, kaun thënë nga Shoqata.
Ata kanë shtuar se nëpërmjet përgatitjes së fletushkave, broshurave në gjuhën maqedonase, shqipe, angleze dhe gjermane, kanë për qëllim njohjen e turistëve për ekzistimin e shtigjeve “kros-kantri” në Kodrën e Diellit.
“Pakoja informative përmban informacione për emrin, lokacionin dhe gjatësinë e shtigjeve si dhe dallimin në lartësi, kohën e nevojshme për kalimin e çdonjërës prej shtigjeve, objektet infrastrukturore dhe të ngjashme. Është promovuar edhe video material për karakteristikat e shtigjeve për “kros- kantri” dhe për çiklizëm në Kodrën e Diellit”, kanë theksuar nga Shoqata “Klubi Malor- Shara Ski Tetovë”.
Me Projektin janë rinovuar edhe plotësuar shenjat ekzistuese në shtigjet, janë përgatitur udhërrëfyes, janë shënuar karakteristikat e shtigjeve, janë caktuar vendet ku fillon dhe mbarojnë shtigjet, janë shënuar edhe karta për çdonjërën shtigje me të gjitha të dhënat.
Këto vende janë vendosur para kompleksit “Konaku”, ku edhe janë pikat fillestare të rutave.