“Aktfest” – festivali që po pasuron jetën kulturore në Shkup

Prej 30 Nëntor deri më 4 Dhjetor, shkupjanët kanë fatin e madh që të shijojnë festivalin e madh teatror “Aktfest”, të vetmin e këtij lloji në vendin tonë. Ky festival brenda një jave vjen me një program të pasur artistik, ku do të shfaqen me pjesë teatrore trupat teatrore nga shumë qytete të trevave shqiptare, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Në pesë netë rradhazi, publiku shkupjan do të ketë kënaqësinë të ndjekë 6 shfaqje teatrore, ku pjesëmarrës do të jenë mbi 60 aktorë të cilët njëashtu do të garojnë edhe për çmime të ndryshme që do të jepen nga një juri profesionale, e cila do të ndjekë secilën performancë teatrore. Kjo juri përbëhet nga aktorë të spikatur si Ndriçim Xhepa, Vehbi Qerimi dhe Shkumbin Istrefi.

Gjatë mbrëmjes së djeshme edhe zyrtarisht filloi festivali “Aktfest” në Teatrin Popullor të Maqedonisë. Publikut shkupjan ju drejtua drejtori i këtij festivali Romir Jakupi, producent me profesion i diplomuar në fakultetin e arteve në Universitetin Shën Qirili dhe Metodi. Ai ju falënderua gjithë atyre që mundësuan organizimin e këtij festivali.

Falënderoj Teatrin Kombëtar Shqiptar, Teatrin Popullor Maqedonisë, si dhe ministrinë e kaluar Asaf Ademi dhe atë aktual Hysni Ismaili”, u shpreh Romir Jakupi.

Programi i shfaqjeve në festivalin “Aktfest” është si në vijim

30.11.2019; “Zona e pritjes”, 20:00h; Teatri “Migjeni”, Shkodër, shfaqet në MNT Shkup

01.12.2019; “Kukulla”, 18:00h; Teatri “Bekim Fehmiu”, Prizren, shfaqet në MNT Shkup (skena e vogël)

01.12.2019; “Vdekja e Dantonit”; 20:00h, Teatri Shqiptar, Shkup, shfaqet në MNT Shkup

02.12.2019; “Jashtë bie borë” 20:00h; Teatri i Tetovës, shfaqet në MNT Shkup (kjo shfaqe do të jepet në vend të shfaqes “Revizori”, të Teatrit të Durrësit, të cilët për shkak të fatkeqësisë që ndodhi para disa ditëve anuluan pjesëmarrjen e tyre në këtë festival)

03.12.2019; “Arturo Ui” 20:00h; Teatri Kombëtar i Kosovës, shfaqet në Teatrin e Komedisë, Shkup

04.12.2019; “Medea”, 20:00h, Teatri Kombëtar “Kujtim Spahivogli” Tiranë, shfaqet në Teatrin e Komedisë, Shkup

Festivali ka mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.