Sociologjia e konstruktimit të shoqërisë shqiptare në Maqedoni dhe më gjërë, është tema në të cilën ka vendosur fokusin, profesori Ali Pajaziti në librin e tij të ri “Fletore Sociologjike”. Libri u promovua sot në Universitetin e Europës Juglindore, ndërsa promotorë ishin profesori Etem Aziri dhe filozofi Sead Zimeri. Bëhet fjalë për një përmbledhje të artikujve të publikuara më herët nëpër media të ndryshme dhe tema sociologjike që kanë të bëjnë me përditshmërinë. Filozofi Zimeri gjatë këtij promovimi, tha se është shumë e rëndësishme që të hapen sa më shumë tema që janë tabu, të pamenduara, sepse më shumë se çdoherë shoqëria ka nevojë për tema të këtilla. Duke folur për librin konkret, ai tha se ka prekur tema të cilat në shumë pikëpamje duken se shkojnë kundër asaj që ai e percepton si status quo, si diçka akoma e pandryshueshme dhe nuk duhet prekur.
Sead Zimeri, Filozof
“Roli
i intelektualit është që të na i përkujtoj disa të vërteta të cilat ne
si popull nuk dëshirojmë t’i dëgjojmë. Intelektuali nuk është as
pushtetar, prandaj nuk e ka për obligim që ta mbroj një status quo, që
t’ia përshtasë idetë e tij një sistemi aktual. Por, ai e ka për obligim
t’ia thotë të vërtetën, pavarësisht nëse e vërteta bie në kundërshtim me
rregullat zakonore, me politikën, me të kuptuarit e fesë, me çdo gjë”.
Autori i librit, Ali Pajaziti, tha se një intelektuali publik cili duhet të jetë person i cili do hap dritare në mur, një krijues i kursit dhe diskursit social në ditët dhe kontekstin në të cilën jetojmë.
Ali Pajaziti, autor
“Në
shoqërinë tonë në veçanti duhet të diskutohet çështja e intelektualit i
cili i’u bën ballë valëve të kohës të establishmentit, të asaj që
pranohet si e paketuar, e gatshme dhe që duhet të pranohet. Në këtë
drejtim ne kemi nevoj si për ujin, që të dijmë ta themi atë që e
mendojmë pa dorëza”.
Pajaziti është profesor në Universitetin e Evropës Juglindore dhe ka publikuar disa libra sociologjik. Ai është edhe analist i fenomeneve sociologjike në vend si dhe kolumnist.
Teuta Buçi /SHENJA/