Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, sot e vizitoi lokalitetin “Kalaja e Gjonovicës” në fshatin Gjonovicë e Epërme afër Gostivarit, ku po bëhen kërkime arkeologjike.
Gjatë vizitës së tij, ministri Ismaili u njoftua me rrjedhën e kërkimeve në këtë lokalitet, i cili paraqet një vendbanim të fortifikuar që nga koha antike e deri në mesjetë, me mbetjet e një kulle, muret e së cilës ishin ruajtur deri në 5 metra lartësi. Ai i vështroi edhe sendet e gjetura, si enët qeramike, pitoset, qeramikat e çatisë, materialet e shumta të ndërtimit dhe monedhat që datojnë nga periudhat e ndryshme kohore, duke e përfshirë edhe monedhën që daton nga shekulli i 4 i erës sonë.
Ministri theksoi se kërkimet në Kala, funksioni i të cilit ishte ta mbrojë komunikacionin në rrugën Makedonski Brod – Kërçovë, ka rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore të rajonit të Gostivarit.
Përndryshe, gjatë kërkimeve të cilat kryhen me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, përveç Qendrës së Konservimit nga Gostivari e cila është bartëse e projektit, janë përfshirë edhe ekipet profesionale të Muzeut Arkeologjik, të Qendrës Kombëtare të Konservimit, si dhe studiuesit e Katedrës së Arkeologjisë pranë Fakultetit Filozofik të Universitetit “Cirili dhe Metodi” – Shkup.