Me performancën e Elina Duni dhe Sasho Popovski Trio në një skenë fantastike të improvizuar mbi lumin Vardar , të dielën përfundoi edicioni i parë i ngjarjes “The Park Festival” që gjashtë ditët e kaluara u mbajt në Gostivar dhe brenda të cilit dashamirët e muzikës mundën t’i ndjekin shfaqjet e artistëve të njohur të muzikës nga vendi dhe jashtë saj.
Në pamundësi për të marrë pjesë në përmbylljen e Festivalit, kryetari Arben Taravari falënderoi publikisht të gjithë ata që kontribuan që ky festival, ashtu siç e kishte edhe moton, të lë gjurmë dhe të synojë të bëhet tradicional.
“Organizatorëve (Inbox Entertainment) të “The Park Music Festival”, përzemërsisht ju falënderohem për organizimin e shkëlqyeshëm të festivalit. Faleminderit që krijuat një ambient fantastik në komunën e Gostivarit. Faleminderit ish ministrit për kulturë Asaf Ademit, si njeri që mundësoi që të ndahet një buxhet i konsiderueshëm për organizimin e këtij festivali. Dhe më ne fund, faleminderit këshilltarëve të komunës së Gostivarit që njëzëri votuan për ko-financimin e kêtij festivali kaq të suksesshëm në qytetin tonë”, shkroi Taravari në profilin e tij në FB.
Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, i cili mori pjesë në përmbylljen e kësaj ngjarjeje, në fjalimin e tij para të pranishmëve theksoi se festivali me shenjën e tij ndërkombëtare, vizitorët e shumtë dhe energjinë që rrezaton nga skenat e vendosura në lokacione të shumta në qytet janë vetëm një konfirmim për hapjen e perspektivave të reja mbi zhvillimin dhe pasurimin e hapësirës kulturore, jo vetëm në Gostivar, por edhe në vendin tonë.
Vlen të theksohet se The Park Festival gjeti mbështetjen edhe të ndërmarrjeve publike të Komunës së Gostivarit, si dhe nga disa organizata joqeveritare ndërsa gjatë 6 netëve, ai u vizitua nga mijëra qytetarë të Gostivarit dhe më gjerë.