NASA: Hëna po zvogëlohet

Hëna po zvogëlohet progresivisht dhe është shkundur nga tërmetet. Përfundimi doli nga një kërkim i Universitetit të Maryland, SHBA, në bazë të simulimeve të bëra duke përdorur të dhënat e sizmometrave të instaluar në satelit  nga misionet Apollo dhe imazhet e marra në 2010-n nga sonda “Lunar Reconnaissance Orbiter” e Nasa-s. Studimi u publikua më pas në revistën “Nature Geoscience”.

Imazhet e sondës kanë treguar se Hëna është tkurrur vazhdimisht, duke lënë mbi sipërfaqe mijëra shkëmbinj dhe duket se procesi vazhdon edhe ditët e sotme.

Për të kuptuar se si kjo ka ndodhur, grupi i kërkuesve, kryesuar nga Nicholas Schmerr ka përdorur një algoritëm për të analizuar të dhënat sizmike, të marra nga misionet Apollo mes viteve ’60 dhe ’70 .

Në këtë mënyrë, u mundësua të evidentohej epiqendra  e 28 tërmeteve hënore të regjistruara mes viteve 1969 dhe 1977, të cilët në Tokë kanë arritur magnitudën mes 2 dhe 5.