Dy të rinj shqiptarë nga Maqedonia e Veriut fitojnë konkursin e NASA-s

Dy të rinj shqiptarë, Jahja Nur Zulbeari dhe Onur Bajramogllu, kanë fituar konkursin e NASA-s, e në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini kanë rrëfyer më shumë rreth kësaj ngjarje.

Që të dy studiojnë inzhinieri softuerike në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Të rinjtë fituan vendin e parë.

“Fillimisht gara që organizohej nga ana e NASA-s është një garë që organizohet çdo vit, prej ku mund të marrin pjesë njerëzit që kanë njohuri në informatikë. Të gjithë mund të krijojnë një aplikacion, ne kishim si një sfidë nga ana e tyre, zjarret. Ne zgjodhëm këtë sfidë sepse kishim vërtetë zjarre të mëdha ku dhe kemi pasur dëme të mëdha”, ka thënë Jahja Nur Zulbeari për TV Dukagjini.

Zulbeari ka thënë se e kanë krijuar këtë aplikacion me anë të intelegjencës artificiale.

“Ne krijuam një aplikacion me intelegjencë artificiale ku prej satelitit të NASA-s marrim të dhëna drejtëpërdrejtë, i detekton se ku janë zjarret dhe pastaj me informatën që ne kemi disa kalkulime të ndryshme, në të cilat mund të parashikojmë se ku mund të përhapet ai zjarr dhe ku mund të shkaktohen dëme të ndryshme”, ka thënë ai.

Bajramogllu ka treguar se ideja e projektit ishte nga NASA. “Ideja e projektit është nga NASA, e kishim sfidën që ne mund ta zgjedhnim temën e projektit dhe tema ishte për zjarret. Ne menduam që mund të krijojmë një aplikacion që mund të punojë me intelegjencë artificiale”, ka thënë Onur Bajramogllu.