Hapet Panairi i Librit në Prishtinë

Pas dy vitesh pauzë për shkak të kufizimeve që shkaktoi pandemia e koronavirusit (COVID-19), është hapur në Pallatin e Rinisë edicioni i 22-të i Panairit të Librit me moton “Libri mbron mendjen, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë edicion të panairit po marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.

Numri i titujve të rinj është rreth 2 mijë ndërsa numri i titujve të viteve të fundit është rreth 6 mijë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrullah Çeku tha se kjo ngjarje e ka marrë epitetin e një ngjarjeje të rëndësishme kulturore ku të gjithë bëhen bashkë rreth librit.

Çeku tha se mbështetja për librin nga ana e Ministrisë së Kulturës duhet të kalojë në një nivel tjetër dhe për këtë po punojnë për një politikë të re.

“Në këtë kuadër ne po punojmë për një politikë të re të kulturës, për një reformë të re ligjore dhe institucionale ku bënë pjesë edhe veprimtaria botuese, ku bënë pjesë edhe libri por edhe nxitja e lexueshmërisë dhe përkthimi”, theksoi Çeku.

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 4 mijë vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.

Panairi i cili zgjat deri më 12 qershor, do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga ora 09:00 deri në orën 20:00.