Ministri i Kulturës, Asaf Ademi, realizoi vizitë pune në Institucionin Nacional„Shtëpia Përkujtimore e Nënës Terezë“, që i kushtohet shenjtores Nënës Terezë.
Në kuadër të vizitës, drejtori Arian Asllanaj e njoftoi ministrin Ademi me aktivitetet në këtë institucion nacional të muzeut, i cili këtë vit e shënon 10-vjetorin e ekzistimit të tij, si dhe me projektet që realizohen me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Në këtë kontekst, drejtori Asllanaj, informoi se në muze, i cili është njëri nga më të vizituarit në qytet, është vendosur ndriçimi i ri, ndërsa në fazën përfundimtare është rikonstruksioni i ekspozitës së përhershme, e cila do të pasurohet me fotografi të reja, dokumente origjinale dhe artefakte që lidhen me jetën dhe veprën e humanistes dhe bamirëses së madhe, Nënës Terezë.
Ministri Ademi ishte njoftuar edhe me rrjedhën e përgatitjeve të këtij institucioni në lidhje me vizitën e kreut të Kishës Katolike Romane, Papa Françesku, Papa i parë i cili do ta vizitojë vendin tonë.