Dy ditë më parë në Manastir në mënyrë solemne u hap Edicioni i 40-të i Festivalit Ndërkombëtar të Kamerës së Filmit “Vëllezërit Manaki”. Në sallën e mbushur me njerëz, në praninë e mysafirëve të shumtë nga bota e kinematografisë, mbajti fjalim edhe ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, i cili foli mbi rëndësinë e traditës që e kultivon ky festival në vitet e kaluara dhe mbi rëndësinë që ka arritur ta sigurojë në korniza botërore.
“Me kalimin e viteve nëpërmjet “Vëllezërve Manaki” ne jemi organizatorë të këtyre legjendave të filmit dhe të shumë aktorëve dhe artistëve nga sektorët e tjerë të filmit, të cilët largohen prej këtu me mikpritjen e ngrohtë maqedonase, por edhe me sfida të reja krijuese, pyetje të reja provokuese që hapen për t’i realizuar tregimet e reja të filmit. Jam i bindur, dhe kjo është konfirmuar edhe gjatë gjithë historisë së festivalit, që takimet profesionale që zhvillohen këtu lindin bashkëpunime të reja mbi miqësitë ndërkombëtare të filmit të cilat e mbajnë shenjën e filmit bashkëkohor”, tha ministri Ismaili.
Festivalin e shpalli të hapur organizatori i manifestimit, Presidenti i Shtetit, Stevo Pendarovski. I ishte dorëzuar edhe “Kamera e Artë 300” për veprën jetësore kinematografit amerikan Ed Lakman, i cili me dekada të tëra kryeson në listën e kameramanëve të suksesshëm amerikanë dhe botërorë dhe ka dy nominime për Oskar për filmat “Larg qiellit” dhe “Karoll”, në regjinë e Tod Hejnis, me të cilin Lakman ka një bashkëpunim të frytshëm dhe efektiv, duke e përbërë me të edhe tandemin me famë botërore: kinematograf-regjisor. Në ndërkohë, u xhirua edhe filmi i tretë i Hejnisit, “Unë nuk jam atje”. Lakman ka bashkëpunuar edhe me regjisorët si: Leri Klark, Robert Altman, Poll Shreder, Verner Hercog etj.
– Çmimin “Ylli i madh i filmit maqedonas” që e ndan Shoqata e Punonjësve të Filmit të Maqedonisë këtë vit e fitoi kompozitori Ljupço Konstantinov për përvojën e tij disa dekadëshe, për përkushtimin e tij të plotë, madje edhe fanatik, për të krijuar muzikë për shumë shfaqje teatrale dhe filma në vend dhe jashtë tij, për bashkëpunimin e tij të suksesshëm me artistë të shquar (aktorë, regjisorë, kompozitorë, skenaristë…) – thonë nga SHPFM-ja.
Filmi për hapjen e edicionit të sivjetëm “Vëllezërit Manaki” ishte filmi i ri i regjisorit spanjoll Pedro Almodovar “Dhimbja dhe Lavdia”, ndërsa në Manastir mbërriti edhe kinematografi i filmit Hoze Luis Alkaine, i cili është laureat i çmimit “”Kamera e Artë 300”, në Edicionin e 34-t të Festivalit në vitin 2013.