Meqenëse për renovimin e Teatrit Shqiptar janë shteruar mundësitë e aneks-marrëveshjeve të reja, nga drejtoria e këtij institucioni deri tek Ministria e Kulturës kanë kërkuar 110 milion denarë shtesë për rrumbullakësimin e projektit të godinës, që ka filluar në vitin 2014. Sipas Ligjit për furnizime publike, me aneks marrëveshje nuk guxon të kalohet më shumë se 30% të kostos së projektit fillestar. Deri më tani Teatri Shqiptar ka shfrytëzuar 29% andaj nga paratë e kërkuara 50 milion denarë janë dhënë vjet, ndërsa 60 milionët denarët e miratuara sivjet nga drejtoria thonë se janë destinuar për pajisje për teatrin dhe jo për aneks të veçantë. Nga teatri nuk sqarojnë nëse do ti përmbahen premtimit të fundit për mbylljen e punimeve në shtator.
Nuk bëhet fjalë për aneks apo për mjete shtesë në kuadër të kërkesës, përkundrazi, janë mjete të cilat duhet të gjinden që të plotësojnë të gjithë projektin. Puna e objektit dhe produksionit janë dy gjëra të kundërta. Ne jemi në fazën e punimeve të produksionit dhe po bëhemi gati për shfaqjen e cila do të jetë shfaqja e kurorëzimit të punimeve. Sa i përket pjesës tjetër ka të bëj me ca pajisje tjera që duhet të vendosen dhe të sillen në teatër, kjo nuk ka të bëj me punime të reja – tha Adem Karaga, Drejtor i Teatrit Kombëtar Shqiptar.
Sipas Ministrit të Kulturës, Hysni Ismaili, 11 aneks-marrëveshjet e shtuara gjatë 4 viteve të rikonstruimit të Teatrit Shqiptar kanë rritur për rreth 1 milion euro koston e projektit fillestar.
Ndërkohë që unë erdha në këtë post ka pasur kërkesa shtesë për gjëra të ndryshme, siç janë enterieri, mobiliet, pajisjet audio-vizuale e të tjera. Në fillim kërkesa ishte për 19 milion e diçka, pastaj ajo u shtua në 60 milion denarë shtesë, kërkesë të cilën unë e menaxhova dhe e çova në Qeveri. Atje u pranua, mbetet të dorëzohen mjete dhe të vazhdoj përmbyllja e këtij procesi – u shpreh Hysni Ismaili, Ministër i Kulturës.
Pas tejkalimit të katër afateve për rikonstruim, në muajin Maj drejtori Karaga pati lajmëruar se për dy javë pritet të përfundojnë punimet, ndërsa premiera duhet të mbahet në shtatorë. Tani në prag të shtatorit, Karaga tha se nuk është caktuar data e premierës meqë ende nuk është bërë pranim-dorëzimi i punës së projektit nga firma ndërtuese. Premtimi i parë ishte se objekti do të jetë funksional deri në 31.05.2018. Ky afat nuk u respektua. Afati tjetër ishte për 31 Tetor. Por më atë datë u dha premtim i ri se punët do të përfundojnë më 31 Dhjetor. Edhe në maj të këtij viti punët ndërtimore duhej të ishim kryer, sipas drejtorisë së Teatrit, por më pas u dha premtim i ri për në shtator.
Rikonstruksioni pesëvjeçar i teatrit shqiptare ishte nën Llupën e revizionit të pavarur të Ministrisë së Kulturës. Revizioni ka konstatuar se persona të pakualifikuar kanë udhëhequr procedurat e tenderimit duke rritur koston e projektit për plot një milion euro, edhe pse sipas tyre nuk ka pasur ndryshim nga projekti fillestar i vitit 2012. Problem tjetër janë edhe dyshimet mbi pronësinë e firmave italiane të përfshira në rikonstruksionin e teatrit. Raportin e posaçëm Ministria ia dorëzoi Prokurorisë Speciale, e cila ka të hapur proces hetimor për projektin “Shkupi 2014”, në kuadër të të cilit ishte edhe riparimi i Teatrit Shqiptar. /Alsat-M/