Institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut nuk u mundësojnë të rinjve të shprehin aftësitë e tyre dhe ta përsosin talentin tyre. Është ky një nga konkluzionet e debatit të sotëm të grupit rinor “Zgjohu”, nga Kumanova, të mbajtur në ambient të hapur pranë shtëpisë së kulturës “Trajko Prokopiev”, shkruan Portalb.mk.
Debatin me temë “Kapaciteti i pashfrytëzuar i të rinjve” e hapi anëtari i grupit rinor “Zgjohu” Eren Ali.
“Arsyeja pse kemi zgjedhur këtë temë është se në këto ditë të nxehta, ku fokusi është krejt diku tjetër në dasma, argëtime e pushime, ne dëshirojmë që kësaj kohe t’i japim një freski trurit dhe ta mbajmë të gjallë ambicien për dije.Pikërisht me këtë temë do të nxisim pak vetëdijen tonë të jetë e ndërgjegjshme me veten për ta ngritur veten me te gjithë aftësitë që posedojmë”. tha ai.
“Puna praktike që ofrohet në shkolla të mesme të mjekësisë nuk është shumë kualitative dhe kjo ndikon shumë që ne mos t`i zhvillojmë aftësitë tona”, tha mes tjerash Egzona Aziri.
Pjesëmarrësit në debat u pajtuan se rinia e vendit ka kapacitet dhe aftësi të mjaftueshme për ta zhvilluar shoqërinë por i mungojnë mundësitë për ta shprehur atë. Pengesën kryesore ata e shohin tek institucionet shtetërore që nuk ua japin të rinjve mundësitë për t’i shprehur aftësitë e tyre dhe ta përsosin talentin tyre.
Si zgjidhje për të dalë nga kjo situatë dhe për të pasur mundësi që rinia në të ardhmen ta shfrytëzojë kapitalin e vet, ata propozuan që së pari të edukohen të rinjtë si t`i kërkojnë të drejtat e tyre.
Më pas, thanë ata duhet të bëhet trysni tek institucionet për t`i plotësuar kërkesat e tyre dhe kështu të krijohen kushte më të mira për gjeneratat e ardhshme.