Shoqata “Dritë Shprese” organizoi trajnimin me temë “Kalimi efektiv i niveleve arsimore”

Shoqata “Dritë Shprese” organizoi me 17.02.2021 trajnimin me temë “Kalimi efektiv i niveleve arsimore”. Ky trajnim u mbajt nga aktivisti i njohur dhe profesori me shumë vite eksperiencë Z. Naser Miftari.

“I dashur për nxënësit e studentët, kolegët  dhe bashkëudhëtarët e tij në dhënien e kontributit të palodhur në shoqëri, Prof. Miftari numëron një numër të konsiderueshëm angazhimesh në shumë organizata dhe iniciativa qytetare. Rreth 70 nxënës dhe studentë nga shkolla të mesme dhe universitete të Shkupit morën pjesë në këtë aktivitet nën respektimin e rreptë të masave kundër Covid 19. Ky trajnim u zhvillua në sallën e madhe të Komunës së Çairit si mbështetës në vazhdimësi i të rinjve dhe aktiviteteve që kontribuojnë në rritjen e kapaciteteve intelektuale të tyre. Vlen për t’u theksuar fakti që ky cikël trajnimesh të cilat po zhvillohen çdo dy javë, janë angazhime plotësisht vullnetare (pa pagesë) si nga ana e shoqatës ashtu edhe nga ana e trajnuesve. Kësaj iniciative po i bashkëngjiten gjithnjë e më shumë profesionistë të afirmuar në fusha të ndryshme duke rritur në të njëjtën kohë ndërgjegjësimin e shoqërisë dhe duke dhënë modelin për kontribut vullnetar edhe tek të rinjtë”, ka deklaruar Jonida Mete Kiki nga shoqata organizatore e ngjarjes “Dritë Shprese”.

Vlen të ceket se me organizimet e tilla mund të themi se tani kemi edhe një organizatë qytetare serioze në vendin tonë. /Schoolture.info/