Me lexim të poezive në gjuhët maqedonase dhe shqipe, sot në Shkup filloi edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në festivalin në Qendrën Kulturore Rinore ishin të pranishëm poetë nga Maqedonia e Veriut, por edhe nga Greqia, Serbia, Kroacia dhe Letonia, të cilët morën pjesë përmes shfaqjeve të videove dhe interpretuan poezi.
Gjatë festivalit do të shfaqen disa filma të shkurtër poetikë, disa prej të cilëve janë regjistruar dhe frymëzuar nga poezi poetësh, kurse autorët janë nga SHBA-ja, Japonia, Gjermania dhe Kanadaja.
Një punëtori mbi shkrimin kreativ është planifikuar për ditën e tretë të festivalit. Punëtoria do të udhëhiqet nga Kim Simonsen nga Universiteti i Amsterdamit, në bashkëpunim me Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski” në Shkup dhe Institutin e Letërsisë Maqedonase. Punëtoria do të zhvillohet online, duke i dhënë fund programit të festivalit.
Themeluesit e festivalit thonë se përmes kësaj ngjarjeje, ata duan të ruajnë kulturën, gjuhën dhe artin.
Në festival u mbajt edhe një ekspozitë, e hapur për të gjithë vizitorët. Ekspozita përbëhej nga vepra të artistëve dhe dizajnuesve grafikë, të cilët janë frymëzuar nga poezitë e secilit prej poetëve që performuan në festival.
Festivali organizohet nën drejtimin e PNV Publikacii nga një grup poetësh entuziastë dhe mbështetet nga Qendra Kulturore Rinore – Shkup dhe Qyteti i Shkupit.