Shërbim i përhershëm rojtar do të duhet të mbrojë pasuritë më të vlefshme të Matkës

Shkëmbinjtë e mermerit miliarda vjeçarë dhe flora dhe fauna unike janë thesaret që ruan kanioni i Matkës. Vjollca e Koshaninovës, e pashkëve, ramonda Natalia… janë vetëm disa nga speciet që gjenden vetëm në këtë zonë ose vetëm në këtë pjesë të botës, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Projektligji për shpalljen e Matkës monument natyror parashikon mbrojtjen e pasurisë së kanionit me katër zona mbrojtëse, ndërsa për zonën me mbrojtjen më të rreptë parashikohet monitorim i përhershëm dhe shërbim rojtarësh. Planifikohet që menaxhimin ta kryejë Qyteti i Shkupit së bashku me Komunën e Sarajit dhe pas miratimit të ligjit do të duhet të hartohet Plani i menaxhimit.

Pjesa me mbrojtjen më të rreptë përfshin 36 për qind të territorit të Matkës, gjegjësisht rrethet e Kozjakut, Dobrashisë, Matka – Vrelos dhe Ploçës. Zona e menaxhimit aktiv zë mbi 50 për qind, pjesa për përdorim të qëndrueshëm përfshin 10 për qind të sipërfaqes dhe pjesa tjetër në brezin mbrojtës. Në zonën e mbrojtjes strikte, ligji ndalon të gjitha aktivitetet që kërcënojnë vlerat dhe ekuilibrin natyror dhe në të duhet të sigurohet monitorim i vazhdueshëm. Me leje do të mundësohet kryerja e punës shkencore dhe kërkimore.

Matka ka vlera të jashtëzakonshme gjeologjike dhe biologjike, shkëmbinj të vjetër mermeri me mbetje të defekteve dhe çarjeve, miliarda vjeçar, shpella, bimë endemike, shpendë të rrallë, flutura… për të cilat duhet siguruar mbrojtje reale”, tha profesori Ivica Milevski në debati publik për Projektligjin organizuar nga Ministria e Mjedisit.

Në zonën e menaxhimit aktiv që përfshin edhe shpellën e Vrelos, një nga tre më të thellat në Evropë dhe e vetmja nga të gjitha shpellat e Matkës që është e hapur për turistët, ligji lejon aktivitete që nuk kanë ndikim negativ në natyrë, si p.sh. turizmi dhe bujqësia tradicionale. Zona për përdorim të qëndrueshëm, nga ana tjetër, përfshin fshatrat dhe tokat bujqësore, objektet infrastrukturore, kishat, si dhe brezin rekreativ përgjatë liqenit “Matka”.

Dokumenti parasheh që Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Sarajit të sigurojnë menaxhim efikas të monumentit të natyrës, të themelojnë Këshillin e palëve të interesit dhe Këshillin shkencor, si dhe të organizojnë shërbimin e sigurisë.

Kanioni i Matkës përfshihet në Rrjetin kombëtar Emerald të zonave me interes të veçantë për ruajtjen e Bashkimit Evropian, ndërsa speciet e shumta nga kanioni i Matkë përfshihen në Anekset e Direktivës për ruajtjen e habitateve natyrore të florës dhe faunës së egër. Lokaliteti në vitet e fundit është pa udhëheqës, gjë që ka sjellë uzurpimin, ndërtimin e strukturave dhe platformave pa leje në liqen, si dhe përdorimin e motobarkave në ujë.