PROGRAMI I KULTURËS: REAGOJNË SHOQATA BOTUESE SHQIPTARE

16 shoqata botuese shqiptare në RMV të nxitura nga shpallja e rezultateve të projekteve për kulturë për vitin 2021 dhe përçmimit, sic thanë, të kulturës dhe traditës shqiptare, kanë reaguar  ndaj këtij dëmtimi dhe diskriminimi të bërë.

Agjenda e viteve ‘80 dhe ‘90 të shekullit të kaluar të qarqeve mizore anti-shqiptare, është rikthyer në formën e saj më poshtëruese dhe duke vepruar përmes institucionit shtetëror – Ministrisë së Kulturës, ka filluar zbatimin praktik,  duke marrë nga hisja jonë e duke e bartur në shportën e vet të pangijshme, sikurse që është vepruar me dekada me radhë, ishte ky reagimi i 16 shoqatave botuese shqiptare në RMV, ndaj diskriminimit që Ministria e Kulturës, sic thanë, bëri ndaj projekteve shqiptare për vitin 2021. Ata ua kanë dërguar një letër të hapur, Mediave, përfaqësive diplomatike në Shkup, partive politike shqiptare dhe Ministres së Kulturës.

ZEJNEPE ALILI REXHEPI – ARS ALBANICA

“I drejtohemi Ministreshës së Kulturës: Zonja Irena Stefovska, keni bërë përçmim të madh ndaj kulturës shqiptare, Zonja Irena Stefovska, keni bërë përbuzje të madhe ndaj traditës shqiptare, Zonja Irena Stefovska, kështu nuk ndërtohet shteti modern, shteti i së drejtës dhe i barabartë për të gjithë. Këtë vit, kultura shqiptare është dëmtuar për afër 110 milionë denarë. Jo nuk pranojmë arsyetime të trilluara, nuk pranojmë më pak nga se është e jona dhe nuk duam atë cka s’është e jona, me hisen tuaj finansoni edhe veprat e Çubrilloviq-it nëse doni, por hisja jonë na takon neve”.

Ata gjithashtu kanë kërkuar që të distancohen publikisht kundër këtij programi anëtarët shqiptarë të komisioneve, Qeveria të ftojë në përgjegjësi ministren Stefovska  dhe ta shkarkojë nga kjo detyrë, të tërhiqet ky program antishqiptar, të formohen komisione të reja me përfaqësues të denjë shqiptarë, të riplotësohen dokumentat që mungojnë në rastet ku janë zhdukur disa prej tyre, të ndërpritet favorizimi i individevë  në dëm të shoqatave dhe shtëpive botuese, të rishqyrtohet kriteri për konkurim, të modernizohet mënyra e aplikimit duke mundësuar qasje on-line e të ngjashme.

Kujtojmë se Ministria e Kulturës duke sqaruar refuzimin e disa projekteve, ndër të tjera përmendi se janë vërrejtur kopje të konkurimeve të mëhershme, nuk ka pasur aplikacione kreative, pa ndonjë efekt dhe kontribut të prekshëm për kulturën si dhe gjatë përpilimit të projekteve nuk janë marrë parasysh kushtet e pandemisë. /KlanMacedonia