Sharl Bodler punoi gjatë në veprën e tij të njohur poetike “Lulet e së keqes”. Me të jetonte. Kudo e bartte me vete e kudo komunikonte me të. Këtë vepër e kishte çdo gjë. E pëlqente këtë vepër, por i interesonte edhe mendimi i të tjerëve për të. Me shumë miq ka biseduar në lidhje me këtë përmbledhje.
Në letrën që ia dërgoi mikut të tij, avokatit Anselu, përveç të tjerash, i shkroi: “Në këtë libër plot dhembje kam mendimin tim, gjithë zemrën time, gjithë besimin tim fetar të rrënuar dhe gjithë mllefin tim”, shkruan sot Koha Ditore.
Kur e lexova me kujdes të madh tërë veprën dhe fillova t’i përktheja poezitë, më dukej titull i saj “Lulet e së keqes” jo i përshtatshëm, sepse e keqja nuk mund të lindë lulen, pra të bukurën, as nuk mund të komunikojë me të. Më i arsyeshëm më dukej titulli “Lulet e dhembjes”. Ky titull më dukej më poetik, më fisnik dhe më i arsyeshëm.
Duke hyrë në shtresat e brendshme të mendimit të Bodlerit dhe ato të poezive lindi dyshimi në mua. Hetova se Bodleri e njeh shumë mirë edhe për mrekulli të keqen. Te ky shkrimtar e keqja nuk është monodimensionale, por përkundrazi shumë dimensionale. E keqja përmban mërinë, dhembjen, sënditjen, dëshpërimin, pikëllimin, melankolinë, monotoninë etj.
Sharl Bodler pati aq shumë durim dhe fuqi saqë nga e keqja e nxori lulen, pra të bukurën. Këtë nuk ka mundur ta bënte asnjë poet para tij, ndoshta edhe më vonë. Pra, në këtë aspekt është poet unikat.