Artistë që shkruajnë në gjuhën boshnjake, kroate, malazeze, maqedonase, serbe dhe shqipe do të mund të dërgojnë krijimtaritë e tyre deri në qershor në Konkursin për tregime të shkurtra Biber, transmeton Portalb.mk.
“Tregimet e shkurtra mund t’i dërgojnë autoret dhe autorët që shkruajnë në gjuhën boshnjake, kroate, malazeze, maqedonase, serbe dhe shqipe; autorë të afirmuar dhe ata që nuk kanë botuar punime deri më sot. Konkursi mbetet i hapur deri më 1 qershor 2022”, sqarojnë nga Biber në lidhje me edicionin e pestë.
Ndryshe, edicioni i parë i revistës së Biberit është publikuar në vitin 2016 me 25 tregime, ndërsa sivjet pritet të përzgjidhen 20 tregimet më të mira. Tregimi më i mirë do të shpërblehet me 800 euro, i dyti me 600, ndërsa i treti me 400 euro, ndërsa vendimi do të publikohet në nëntor të 2022.
“Përveç tregimeve të cilat tematizojnë pajtimin në kontekstin e pasojave të luftës dhe të dhunës në vendet e ish-Jugosllavisë, kësaj radhe do të merren parasysh edhe tregimet të cilat mund t’i ndihmojnë mirëkuptimit më të madh ndërmjet njerëzve, zbutjes së urrejtjes dhe kapërcimit të paragjykimeve, pastaj tregimet kundër luftës, tregimet të cilat ballafaqohen me të kaluarën, me kapërcimin e pasqyrimeve të armikut, tregimet për dhembshurinë ndaj tjetrit, tregimet e guximshme të cilat marrin guximin të ecin me këpuca të „armikut“, tregimet të cilat i lëvizin kufijtë dhe na i hapin rrugët për të ndërtuar një të ardhme më të qartë, më të sigurt e më të lirë për të gjithë”, sqarohet në Konkurs.