Ishte java kulturore që në vete gërshetoi këngën e vallen burimore, ritet e zakonet si dhe atmosferën festive në Rashçe dhe më gjërë.
Organizimin që bëri SHKA DUFLLA duke filluar nga tradita e synetisë, manifestimin tradicional “Mirë se vini Mërgimtarë” dhe Festivalin Ndërkombëtarë të Folklorit Burimor DUFLLA ngjallën interes të veçantë jo vetëm tek mërgimtarët e kësaj ane por mbarë Shkupit në përgjithësi.
Për mysafirët tanë dhe për mërgimtarët në përgjithësi u kujdesën shumë këngëtarë të njohur si: Ilir Shaqiri, Milaim Mezini, Vëllezërit Sejdiu, Merita Gashi, Tefik Islami, Refet Rexhepi, Resmije Krasniqi, Kadri Selmani, Vëllezërit Zeqiri, Artesa Retkoceri, Shefki Salihu, Ardian Isufi, Lumturie Axhami etj.
Pjesëmarrës në këtë festival ishin ansamble nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Greqia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.
E veçanta e këtij festivali ishte ajo që mysafirët nga jashtë vendit qëndruan në fshatin Rashçe 4 ditë edhe atë nëpër shtëpi të banorëve që me bujarinë e tyre hapën dyert dhe zemrat për ti gostisur dhe për tua prezantuar traditën familjare të dervenit theksoi ndër tjerash Ylber Idrizi drejtor i Festivalit.
Sigurisht që gjatë qëndrimit në Rashçe nuk u prezantuan vetëm në festival por patën një agjendë të ngjeshur edhe atë duke vizituar Shtëpinë e shenjtores Nënë Teresa, Çarshinë e vjetër, Kalanë e Shkupit, Kanjonin e Matkës, Shpellën Dona Duka dhe Burimin e Dufllës. Pas takimeve me zyrtarët e komunës dhe të fshatit Rashçe anëtarët e SHKA DUFLLA kishin përgatitur edhe drekën me ushqime tradicionale.
Nata e tretë ishte edhe finalja që pjesëmarrësit u shpërblyen me çmime. Vendin e parë e rrëmbyen ansambli Dibra nga Peshkopia – Shqipëri, vendi i dytë Studio Folk Shkup – Maqedoni ndërsa vendi i tretë i takoi amsamblit Liria nga Tuzi – Mali i zi. Çmimin special Grand Prix Duflla e fitoi Ilirida Shkup – Maqedoni ndërsa çmimin e kryetarit Thesaret Labe Çamëri – Greqi. Çmimin e publikut dhe veshja tradicionale më e kompletuar i takoi ansamblit Shqiponjat Saraj – Maqedoni ndërsa ansambli nga Bosna dhe Hercegovina fitoi çmimin Koreografia më e mirë. Paraqitja më e kompletuar skenike dhe Çmimi medial i takoi ansamblit Drita e Dërvenit – Maqedoni ndërsa Rapsodi më i mirë çmimi Idriz Çilafi shkoi në Peshkopi për rapsodin Eduard Hoxha ansambli Dibra.
Pika më autentike e festivalit dhe valltarja më e mirë Sejda Cejahic LILJAN – Maqedoni ndërsa valltari më i mirë Ilir Loku ILIRIDA – Maqedoni.
Grupi folklorik më i kompletuar ishte Fushë Arrëza – Shqipëri ndërsa çmimi Recitali më i mirë Fatbardha Berisha.