TRAGJEDIA NË TETOVË/ Tri ditë zie në të gjithë vendin

Tri ditë zie në të gjithë territorin e vendit u shpallën pas ngjarjes tragjike në Spitalin e Tetovës. Flamuri i Republikës së Maqedonisë Veriore është ngritur në gjysmështizë.

Ekipeve vendase të hetimit në terren, për dy ose tre ditë do t’u bashkohen edhe ekspertë të huaj. Vendimin e mori Qeveria.

Qeveria

“Qeveria solli vendim të pranojë ofertën nga vendet anëtare të NATO-s për të dërguar në vend persona ekspertë të nivelit më të lartë të ekspertizës në hetime për të ndihmuar në përcaktimin e arsyeve të zjarrit në Kovid Qendrën modulare në Spitalin në Tetovë.”

Mes tjerash do të përcaktohet edhe se çfarë lloj ndihme dhe mbështetje shtesë nevojitet për familjet e të vdekurve dhe të plagosurve.

Ditë zie shpalli edhe Komuna e Tetovës

 “Janë shpallur tre ditë zie brenda qytetit tonë dhe në të njëjtën kohë, deri sa të merren të gjitha informacionet e tjera zyrtare, nga fondi emergjent i komunës së Tetovës do t’u ndihmohet familjeve që kanë pasur këtë gjëmë të madhe.”- deklaroi Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.

Flamujt e shtetit në të gjitha ambasadat në vendet e huaja, po ashtu janë ulur në gjysmështizë.