Hermann Hesse (1877 – 1962) është njëri nga shkrimtarët më të shquar gjermanë të shekullit të njëzet. Krahas shkrimeve në prozë, Hesse shquhet si poet me më shumë se 680 poezi të përmbledhura në 12 vëllime.
Hesse ishte djali i një pastori dhe nipi i një misionari kalvinist. Ky ambient familjar ndikoi në formimin e personalitetit të tij. U dërgua të studionte për teologji, por mësimet fetare i braktisi shpejt! Punoi si mekanik dhe librar në Tübingen. Në botëkuptimin e tij moral e filozofik ishte natyralist, mistik, buddhist, aktivist faustian, por gjithmonë intimërisht fetar. Lufta e Parë Botërore i shkaktoi një krizë të rëndë shpirtërore. Doli haptas publikisht kundër dallgës së barbarive që përshkoi Evropën dhe madje arriti ta ndiente veten fajtor për të këqiat e kohës. Edhe më vonë, nga vetë formimi i tij shpirtëror, ishte që në fillim kundër nazizmit dhe adhuronte kulturen angleze. Hermann Hesse është poet e prozator me prodhimtari me vlera artistike të larta e sasi të jashtëzakonshme. Librat e tij me romane, poezi shkrime kritike politike, kulturore dhe letrare, mesatarisht arrinë në 80 milion ekzemplarë në të gjithë botën, duke e bërë kështu njërin nga shkrimtarët evropianë më të lexuar të shekullit të njëzetë. Më 1921 u bë qytetar zviceran dhe 1946 iu dha çmimi Nobel në letërsi.
Vdiq më 9 gusht 1962 në Montagnola, Zvicër, në moshën 85-vjeçare.
Hesse njihet dhe si aforist, filozof dhe piktor. Më poshtë, EO sjell një përmbledhje të disa prej aforizmave të tij më të njohura:
Aforizma është një lloj xhevahiri, sa e çmuar sa e rrallë, e shijshme vetë në doza të vogla.
Edhe një orë e ndalur shënon orën e saktë dy herë në ditë.
Ji vetvetja! Mos i lejo partnerit të të ndryshojë, pasi, kur t’ia ketë arritur, do të jetë lodhur me ty.
Lumturia është dashuri, asgjë tjetër. I lumtur është ai që di të dashurojë.
Nëse për lumturinë tënde të duhet leja e dikujt tjetër, je vërtet një mjeran i shkretë.
Feja, ashtu si dashuria, nuk kalon përmes arsyes.
Sa më vështirë të arrihet diçka, aq më shumë dëshirohet.
Jeta e njerëzve që punojnë është bajate. Interesante është jeta e atyre që sorollaten.
Në natyrë nuk ka asgjë aq të pabesë, të egër dhe mizore, sa njeriu.
Kur një njeri përqendron të gjithë vullnetin e tij në diçka të caktuar, ia arrin patjetër.
Si të gjitha vlerat e vërteta, dashuria nuk mund të blihet.
Shumica e njerëzve nuk pranon të notojë para se të mësojë not.
Çfarë do të ishte dashuria pa rrezikun?
Kush dashuron vërtet, bëhet hero e poet për një buzëqeshje, për një fjalë, për një shenjë të personit që dashuron.
Një ditë me lodhjen e fundit do të vijë paqja dhe toka mëmë do të më përqafojë.
Vlera e tepërt që i japim minutave, ngutjes, që është në epiqendër të mënyrës sonë të jetesës, është padyshim armiku më i madh i lumturisë sonë.
Atë që natyra kërkon nga njeriu është e shkruar brenda secilit prej nesh.
Dhimbjet, zhgënjimet dhe melankolia nuk shërbejnë për të na hequr vlerat dhe dinjitetin, por për të na rritur.
Lumturia nuk është kur na duan. Lumturia është kur duam ne.
Fati dhe karakteri janë dy emra të të njëjtit koncept.
Ai që zotëron guxim dhe karakter, bëhet shqetësim për ata që i rrinë pranë.
Njeriu dallohet nga pjesa tjetër e natyrës sidomos nga një shtresë gënjeshtrash që e mbështjell dhe e mbron.
Nëse kemi frikë dikë, njohim tek ai një forcë mbi ne.
Një pjesë të mirë të ëndrrave tona i jetojmë me intensitet më të madh sesa pjesën e ekzistencës zgjuar.
Askush nuk ëndërron gjëra që nuk i përkasin.
E keqja lind gjithmonë ku dashuria nuk mjafton.
Dashuria nuk ekziston për të na lumturuar, por për të na treguar se sa e madhe është aftësia jonë për t’i bërë ballë dhimbjes.
Dija nuk mund të përcillet. Dija që i mençuri përpiqet të përcjellë ngjan përherë si çmenduri.
Për të gjithë, edhe për më fatlumët, dashuria fillon me një dështim.
Dashuria është dëshirë e urtësuar. Dashuria nuk dëshiron të ketë, dëshiron vetëm të dojë.
Vetëm ai që ka nevojë për një prekje delikate di të prekë me delikatesë.
Dashuria vuhet, por sa më shumë vuhet me përkushtim, aq më të fortë na bën.
Një artist i zoti është i destinuar të jetë i palumtur në jetë: sa herë që ka uri dhe hapën zymbylin e tij, gjen vetëm perla.
Në zanafillë të çdo arti është dashuria. Vlerat dhe madhësitë e një arti përcaktohen mbi të gjitha nga aftësia e dashurisë së artistit.
Lotët janë shkrirja e akullit të zemrës. Atij që qan, të gjithë engjëjt i rrinë pranë. /EO/