Universiteti i Evropës Juglindore filloi me ligjëratat e rregullta me sistem hibrid të mësimdhënies

Në Universitetin e Evropës Juglindore, për studentët e të gjitha cikleve të studimit, sot (21 shtator 2020), kanë filluar ligjëratat e rregullta për vitin e ri akademik 2020-21.

Procesi i mësimdhënies, është i kombinuar (hibrid), që nënkupton mësimdhënie të drejtpërdrejt me studentët që janë prezent në klasë (sipas orareve përkatëse), përderisa studentët që për arsye objektive nuk do të jenë prezent, ligjëratat do të mund t’i ndjekin online, nëpërmjet kamerave të instaluara në çdo klasë.

“Vitin i ri akademik 2020/21, në kushtet e pandemisë Kovid-19, e fillojmë si asnjëherë më parë, përplot sfida shëndetësore, por edhe sprova për ballafaqimin e menaxhimin e kujdesshëm të situatës.Të vetëdijshëm për rreziqet, institucionalisht i kemi bërë përgatitjet maksimale për zbatimin e përpiktë të të gjitha rekomandimeve higjienike, distancore dhe të mbrojtjes personale përgjatë gjithë periudhës së pandemisë.”, thotë rektori i UEJL-së, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti.

Për shkak të mos rrezikimit të shëndetit të studentëve dhe stafit, për herë të parë për studentët e vitit të parë, nuk është organizuar pritja tradicionale, por e njëjta është transformuar në pritje online e studentëve.

Nëpërmjet adresave të tyre elektronike dhe nëpërmjet të gjitha mediumeve të Universitetit, duke përfshirë këtu ueb faqen, rrjetet sociale dhe kanalin zyrtar të Universitetit në Youtube, të gjithë studentëve të vitit të parë u janë dërguar video porosia e rektorit, dekanit të fakultetit përkatës dhe e këshilltarëve studentor me udhëzime konkrete për fillimin e vitit akademik.

Me një porosi enkas, Rektori Bexheti u është drejtuar të gjithë studentëve dhe stafit të Universitetit, nga të cilët kërkon respektim të përpiktë të rekomandimeve dhe protokolleve shëndetësore dhe në të njëjtën kohë i përgëzon ata për angazhimin dhe përshtatjen që e kanë bërë me rrethanat e reja. (INA)