Shkruan: Xhenis Sulimani
Dështoi Katica Janeva. A e sheh bre shoç se për kë keni vrapu? Të njëjtë janë të gjithë. Gjithë luftojnë për pushtet, për të vjedhë. O veç sa të vijë edhe ky tjetri se edhe ky ka me vjedhë. Rri drejto shtëpinë tënde, se s’ta di kush. Pse e fol të vërtetën publikisht, ti mendon se nuk e dinë mileti a? O krejt e dinë, po pse me kriju armiq palidhje, jeta është e gjatë.
Sot, mundemi t’i kujtojmë edhe shumë fraza të famshme këso soji, ndoshta do mbushim më shumë sesa një broshurë me thënie që tentojnë të vrasin përpjekjet për drejtësi. Në opinion ekziston perceptimi se sistemi është fajtor. Te unë, është bindja se kjo dukuri ka të bëjë me mendësinë. Shkurt e shqip ka të bëjë me provincializmin politik.
Çfarë nënkuptojmë me provincializmin politik? Mungesë e përsosjes. Theks mbi një çështje që është e kufizuar dhe s’ka të bëjë me interesin e përgjithshëm. Një injorancë e theksuar për të tjerët që mendojnë ndryshe. Mangësi në perceptimin e politikave gjithëpërfshirëse. Perceptim se politika është vetëm e disave dhe për një grup të caktuar e jo detyrim për të gjithë, kur kihet parasysh se ka të bëjë me të mirën e përgjithshme.
Provincialistët politik i kanë argumentet e tyre. Por shtrohet çështja, pse të mos bëjmë kthesë në kuptimin e politikës dhe luftës për drejtësi?
Diçka që ka të bëjë me interesin e përgjithshëm nuk është detyrim vetëm i një grupi të caktuar, por është obligim i secilit qytetarë. Sokrati e definon drejtësinë, si proces ku secili bën punën e vet, si detyrim qytetar, dhe kontribuon për të mirën e përgjithshme.
Pse duhet të mendojmë se gjithë që kryejnë detyrimet qytetare duhet patjetër të vjedhin? Pse duhet të kultivojmë perceptimin se automatikisht nëse je politikan duhet të jesh matrapaz?
Dikush në vete derisa lexon tekstin do të thoshte, “po shumë politikanë na kanë dëshmuar se janë të tillë”? Mirë, po si erdhën njerëzit në pozitat politike? Me vota. Kush i votoi? Ne! Pasqyrë e kujt janë ata? Pasqyrë e jona! Eh, pra?!
Nëse te ne drejtësia po vonohet, nëse tradhtohemi edhe kur shpresojmë e besojmë më shumë, a nuk ka ardhur koha të ndryshojmë ne? Të nisim nga vetja.
Fillimisht të ndryshojmë perceptimin për politikën dhe drejtësinë. Ta bindim veten se jemi të drejtë dhe se kush nuk është duhet ta ndryshojmë. Se politika është luftë për të mirën e përgjithshme dhe se për të mirën e përgjithshme duhet të kujdesen njerëzit e moralshëm dhe të dëshmuar në profesione. Njerëz që janë mjaftueshëm të arsimuar për ta kuptuar se pushteti është fuqi institucionale për t’i ecur proceset politike përpara, për ta bërë jetën e qytetarit më të denj dhe të rritë besimin e qytetarëve për institucionet. Institucione që barrë kryesore do të duhej ta kishin hallin e qytetarëve.
Drejtësia nuk fillon e as nuk mbaron me një emër. Drejtësia lind nga karakteri i njeriut dhe e njëjta reflekton pastaj nëpër institucione. Si jemi vet do i kemi edhe institucionet. PIKË.