Schoolture TV

Dritare kulturore për të rinjtë

Ligji për arsimin fillor: Patjetër duhet t’i kthejmë vlerat e humbura te nxënësit

Ligji i ri për arsim fillor, i cili është në procedurë parlamentare dhe aktual gjatë periudhës që po kalon, parashikon më shumë ndryshime. Ajo që është interesant për t’u analizuar është se, sipas asaj që është deklaruar në objektiva, do të jetë dokument zbatimi i të cilit duhet të fillojë të krijojë fëmijë me më shumë besim, fëmijët të cilëve procesi edukativ do t’ua mësojë respektin, mirëkuptimin, edukim për tolerancë më të madhe ndaj atyre të cilët janë të ndryshëm, për përgjegjësi dhe bashkëpunim. Për qëllime të ligjit, është theksuar se fokusi do të jetë në zhvillimin intelektual, emocional dhe social të nxënësve sipas aftësive të tyre.

A do të thotë kjo se sistemi deri tani nuk ka krijuar breza që i kultivojnë këto vlera? Sa do të mund kjo të implementohet në praktikë? Për këtë, biseduam me ekspertë të fushës, si dhe me praktikuesit të cilët janë pjesë e sistemit dhe të cilët punojnë çdo ditë me fëmijët, transmeton Meta.mk.

Për mësimdhënësen shumëvjeçare klasore Jadranka Klisarova, nga shkolla fillore “Bllazhe Koneski” Aerodrom, çdo mësimdhënës dëshiron që nga secili fëmijë të ndërtojë një personalitet i cili do të jetë i drejtë, do të kujdeset, do t’iu ndihmojë dhe do t’i respektojnë të tjerët.

“Po e lexoj ligjin e ri ashtu që edhe vetë jam në një dilemë, çfarë kemi punuar ne mësimdhënësit gjatë gjithë këtyre viteve? Vallë nuk i kemi edukuar nxënësit në atë frymë? Gjatë gjithë procesit edukativ-arsimor, i kushtohet kujdes zhvillimit të miqësisë, respektit të ndërsjellë dhe tolerancës, si dhe pranim dhe respekt për ata të cilët janë të ndryshëm. Çdo gjë që përmban ligjin i ri (character education) është aplikuar në procesin arsimor, vetëm se deri tani askush nuk e ka theksuar atë. Puna në zhvillimin dhe kultivimin e këtyre vlerave është e domosdoshme dhe duhet të jetë e përhershme që nga mosha më e hershme në vetë familjen, në kopshte të fëmijëve dhe më pas në arsimin fillor. Të edukohet një fëmijë deri në masën e një personi të pjekur është një proces afatgjatë në sistemin arsimor” thotë Klisarova.

Sipas saj, nuk ka dyshim se disa vlera morale kanë qenë të humbur te nxënësit në vitet e fundit, por kjo nuk është për shkak të papërgjegjshmërisë së stafit mësimdhënës, por nga familjet dhe vendosja sistemore në shoqëri.

“Roli edukativ i shkollave ka qenë gjithmonë detyrë parësore, por programet voluminoze, numri i madh i orëve dhe numri i madh i nxënësve në një klasë, kanë kontribuar që të reduktohet komponenta edukative. Të mos e harrojmë rëndësinë e familjes, e cila duhet të jetë shtylla kryesore që do të luajë rol parësor në rritjen e fëmijëve që ata të jenë individë në harmoni në aspektin emocional dhe shoqëror. Nëse kthehet roli i edukimit në shkolla, kjo do të ketë rëndësi të madhe për të gjithë sistemin arsimor, pasi nxënësit do të jenë në gjendje të fitojnë më shumë njohuri në një periudhë të shkurtër kohore. Mendoj se qëllimi i kthimit të rolit edukativ do të sjellë fryte për vetë nxënësit dhe për të gjithë shoqërinë. Por, shpresoj se nuk do të jetë përmes orëve shtesë të imponuara dhe ngarkesave teorike për nxënësit. Mësimdhënësi nuk e harron rolin që e arsimon mendjen, por pa edukimin e zemrës nuk ka bërë asgjë të dobishme. Mësuesi në klasë duhet të krijojë mjedis stimulues për zhvillim kognitiv, emocional dhe social për çdo fëmijë” vlerëson Klisarova.

UNICEF-i është duke punuar me Ministrinë e arsimit dhe shkencës në sjelljen e reformave të arsimit. Benxhamin Perks, përfaqësuesi i UNICEF-it, për Meta, thotë se ndryshimet që po bëhen tek ne, vendet e tjera të zhvilluara tashmë i kanë bërë.

“Sistemet evropiane dhe tjera të arsimit, me cilësi të lartë, kanë bërë reforma në sistemin arsimor duke i marrë parasysh gjetjet e dekadave të fundit se zhvillimi i inteligjencës emocionale dhe sociale është po aq e rëndësishëm sa edhe zhvillimi i inteligjencës kognitive në përcaktimin e mirëqenies dhe suksesit personal në shkollë si dhe suksesit gjatë gjithë jetës së tyre. Por ato janë të rëndësishme edhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik, social dhe demokratik të shoqërisë sonë – thotë Perks.

Ndërkohë profesori universitar, Kirill Barbareev, nga Fakulteti i Shkencave të Edukimit në Shtip beson se në fazë të vetëdijes në shoqëri se reformat në arsim janë të domosdoshme, kjo qasje dhe mënyra e sjelljes së ligjit krijon shumë dyshime në lidhje me mënyrën e zbatimit të tij të vërtetë dhe ndryshim thelbësor.

Jam i sigurt se në praktikë do të ketë probleme reale. Reforma do të thotë të shihen ndryshime të vërteta në klasë. Dhe atë ose e shihni dhe e ndjeni ose nuk e shihni. Çështja kyçe është reforma e mësimdhënësve aktualë dhe të ardhshëm dhe materialet nga të cilat mësojnë mësimdhënësit dhe nxënësit. Pajisjet dhe kushtet janë gjithashtu çështje e rëndësishme dhe kjo duhet të shkojë paralelisht. Parashtrohen pyetjet: Cili është qëllimi i ligjit dhe çfarë duam të arrijmë në afat të gjatë? A ka ndonjë projekt pilot që fillon në disa shkolla? A ekziston ndonjë pilot-projekt i cili ka filluar në ndonjë  shkollë? E ka aplikim eksperimental për ndonjë periudhë të caktuar në disa shkolla? Si mund, ata për të cilët vlen ligji, ata të cilët duhet të besojnë më së shumti në zgjidhjen e re, të mos jenë këtu dhe të mos jenë të informuar dhe të reagojnë? Si mund të mos ketë debate publike në të gjitha fakultetet për mësimdhënës”, pyet Barbareev.

Ai mendon se kur sillet ndonjë ligj i ri, i cili duhet të jetë në interes të përbashkët për përmirësimin e sistemit dhe nëse në atë rast institucionet që arsimojnë mësimdhënës, drejtuesit e instituteve, profesorët, mësimdhënësit, prindërit nuk qëndrojnë së bashku me ministrin kur ai shpallet, atëherë diçka ka gabim serioz. /Portalb/