Pa u bërë dy javë prej kur ka bërë të ditur se si do t’i ndihmojë të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë kohës së luftës në Kosovë, Rita Ora ka mbërritur në vendlindje. Në mbrëmjen e së hënës këngëtarja me nam botëror ka aterruar në Aeroportin e Prishtinës.
Dy vetura janë kujdesuar që ekipi i saj të udhëtojë drejt një hoteli luksoz në kryeqytet. Ora, e cila ka dalë nga zona “VIP” e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari” nuk është paraqitur fare para mediave. Pos kësaj, askush nga udhëheqësit shtetërorë apo ndonjë person tjetër publik nuk ka qenë i pranishëm për ta pritur. Zëri i saj është dëgjuar tek ka dalë nga terminali, vetëm duke i përshëndetur në shqip, stafin që e ka pritur. Por ajo është në Kosovë, për t’u dhënë zë grave që përjetuan tmerr dy dekada më parë.
Në këtë rast Ora është duke luajtur rolin e saj si Ambasadore Nderi e Kosovës, titull ky të cilin ia kishte dhënë ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, qysh nga viti 2002, për t’ia dorëzuar në Londër në korrik të vitit 2015.
Përderisa ka lansuar linjën e çantave, Ora kishte treguar se është krenare që është nga Kosova dhe që është ambasadore e shtetit më të ri në Evropë. /Kohanet/