PROTESTA/ Stop dhunës në komunikacion

Sot në Shkup është mbajtur protestë kundër dhunës në komunikacion në udhëkryqin te “City Mall” në Shkup, në vendin ku më 20 janar është goditur për vdekje në viza të bardha 24-vjeçarja Viktorija Nikollova nga Radovishi. Në protestën e organizuar nga i dashuri i saj, i cili ishte lënduar në po të njëjtin aksident, ka marrë pjesë familja dhe rreth 200 persona, a në vendin e ngjarjes janë vendosur lule dhe janë ndezur qirinj, njofton Portalb.mk.

Në paralajmërimin për protestë, organizatori tha se qëllimi është që “t’i vihet fund vozitjes së pakujdesshme nëpër rrugët e shtetit dhe të ngritët vetëdija te pjesëmarrësit në komunikacion se fëmijët tanë, por edhe vetë ne duhet që të lëvizim lirshëm në zonat për këmbësorë dhe trotuare, pasi që janë të vende të vetme ku këmbësorët duhet të ndjehen të lirë”.

Nikollova në natën e 20 janarit u godit nga një automjet i drejtuar nga J.Gj. (1999) nga Shkupi, derisa bashkë me të dashurin e saj kanë qenë duke kaluar nëpër viza të bardha.

Javën e kaluar në Shkup kanë ndërruar jetë tre këmbësorë, duke kaluar nëpër vija të bardha.

Më 21 janar, iniciativa qytetare “Mundësi për Qendrën” ka kërkuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, Qeveria dhe kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska që urgjentisht të aktivizohet sistemi automatik për ndjekje dhe dënim në komunikacion në kryeqytet. Nga Iniciativa vlerësojnë se është e domosdoshme të ketë përgjegjësi dhe të tregohet vullnet politik që sa më shpejtë të vendoset siguria në komunikacion dhe rrugët e shtetit, veçmas në Shkup.

Përkujtojmë që Policia ka raportuar 24-vjeçarja është goditur me veturën “Citroën C4” në bulevardin “Partizanski Odredi”, e cila ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Vetura ka qenë duke lëvizur me shpejtësi mbi 50 km/h në kalimin për këmbësorë.

Vozitësi që e ka goditur për vdekje 24-vjeçaren është arrestuar dhe mbajtur në stacion policor, pas urdhrit të prokurorit publik, i cili ka urdhëruar që të kryhet autopsia e trupit të pajetë dhe ekspertizë të gjakut dhe urinës nga vozitësi i automjetit me qëllim që të konstatohet nëse ai ka vozitur nën ndikimin e alkoolit apo substancave tjera të palejuara.