Projekti/ Aplikacioni “Lexues Audio” për personat e verbër edhe në gjuhën shqipe

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi së bashku me kryeministrin Zoran Zaev ishte i pranishëm në ngjarjen e organizuar nga ana e Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale për lëshimin në përdorim zyrtar të aplikacionit “Lexues Audio”, i cili do të jetë në shërbim të rreth 3.000 personave të verbër në vendin tonë.

Projekti i krijimit të këtij aplikacioni, siç thuhet në kumtesën e dërguar nga zyra për marrëdhënie me opinionin e Zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Sistem Politik, është financuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe ai u krijua në partneritet me Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale, Programin për zhvillim të Kombeve të Bashkuara dhe Këshillin Nacional për personat e verbër.

Ky aplikacion përmes sistemit të shëndërrimit të “fotografisë/tekstit në zë” do të mundësojë lëvizje dhe komunikim më të lirshëm, jetë më cilësore për kategorinë e personave të verbër.

Grubi përmes faqes së tij zyrtare në Facebook poashtu njoftoi se në përgatitje e sipër është edhe versioni shqip i këtij aplikacioni i quajtur Hana. Në përpilimin e të dy versioneve të aplikacionit është përfshirë kompani e specializuar amerikane për krijimin e këtyre produkteve softuerike dhe ekip lokal i linguistëve nga institucione me
renome.

Implementimi i këtij projekti bazohet në Konventën e ratifikuar të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me nevoja të veçanta në vitin 2011.