NQP/ 4 ditë transport publik pa pagesë, përfitues edhe studentët

Pensionistët dhe studentët e universiteteve shtetërore, nga e premtja do të kenë transport publik pa pagesë. Drejtori i Ndërmarrjes për Qarkullim Publik, Ivan Ilievski deklaroi se transporti publik pa pagesë do të jetë katër ditë në javë, të martën, të premten, të shtunën dhe të dielën, shkruan Alsat.

Të drejtën e shfrytëzimit e kanë gratë nga mosha 62 vjet dhe burrat nga mosha 64 vjeçare. Ilievski tha se vendimi për transport publik falas, është sjellë nga Qyteti i Shkupit i cili ka ndarë 650 mijë euro për këtë masë, me qëllim që gjatë krizë ekonomike t’u ndihmohet një kategorie të caktuar të qytetarëve. Transporti falas vlen edhe për nxënësit e shkollave të mesme të qytetit të Shkupit dhe personave me aftësi të kufizuar.

“Me këtë lehtësim të shpenzimeve për qytetarët përfshihen 80 mijë përdorues të transportit publik në Shkup të cilët do të kenë të drejtë ta shfrytëzojnë transportin falas katër ditë në javë… Personat e rritur të cilët duan ta shfrytëzojnë transportin pa pagesë të martën, të premten, të shtunën dhe të dielën, duhet të posedojnë kartelë elektronike personale dhe gjatë shfrytëzimit të transportit publik të identifikohen, ndërsa kartela e njëjtë tregohet edhe gjatë kontrolleve”, tha Ivan Ilievski, drejtor i NQP.

Alsat