Një pirg ndryshku luksoz, një shëtitje në varrezën e fshehur të makinave (FOTO)

Një varrezë masive makinash luksoze është zbuluar në një pyll në Skoci, vetëm 50 kilometra larg Edinburgut. Makinat janë të gjitha rreth 60-vjeçare dhe janë lënë të ndryshken në mes të natyrës.

Në “koleksionin” e veçantë ka makina klasike britanike, si Jaguar dhe Austin. Ato besohet se i përkasin një koleksionisti të zonës. Fotot e trishta, por mahnitëse, u realizuan nga Grant Vincent, i cili e konsideron veten një eksplorator urban.

“Të gjitha makinat, të pushtuara nga barishtet, mundësuan realizimin e fotove vërtet të bukura. Shumica e makinave ishin të vjetra, 40 deri në 60-vjeçare. Besoj se pronari ishte i pasionuar pas makinave Jaguar. Përveç se kishte shumë të tilla, aty pranë gjendej edhe një statujë e një xhaguari”, tha Vincent për “Daily Mail”.

Edhe pse sot këto makina janë thjesht një pirg hekurash të ndryshkur, në kohën kur kanë qenë në qarkullim kushtonin deri në 45 mijë paund njëra.