Për disa fëmijë, “1 qershori” Dita ndërkombëtare e fëmijëve është festë. Mirëpo, për shumë të tjerë, kjo ditë është e zakonshme me mungesë të kushteve më elementare për fëmijën, që në këtë rast është arsimimi. Dhjetëra fëmijë të fshatit Bërnjarcë të Komunës së Gazi Babës kanë mbetur thuajse pa asnjë ditë mësim për shkak të mungesës së mjeteve për realizim të mësimit nga distanca. Shpesh herë orari i mësimit online është zëvendësuar me improvizim klasash ose lojëra të ndryshme fëmijësh.
“Përditë nuk e kam ndjek mësimin Pse? Se nuk kam pas internet. A ki telefon ose tablet? Jo.
“Çfarë ke bërë gjatë orarit kur është dashur të jesh në mësim online? Kam lexuar. Këtë vit nuk kemi ndjek, kemi humb shumë”.
“Prej klasës së katërt a e mban mend ndonjë mësim, gjuhë shqipe ose matematikë? Asnjë. A ke marr ndonjë notë deri tash? Jo, asnjë. Kur të rritesh çka dëshiron të bëhesh? Polic”.
Dëshirat e fëmijëve për t’u bërë polic, mësues ose futbollist do të mbeten vetëm ëndrra nëse kushtet e tyre për jetë dhe arsimim nuk përmirësohen. Fatmirësisht, jo të gjithë fëmijët kanë një fat të tillë. Vesa Zylfiu dhe Sylë Shehu këtë ditë e shënuan duke zgjedhur libra dhe lektyra në librari.
“Ëndrra ime është të bëhem një shkrimtare dhe të shkruaj plot libra. Çfarë lektyre ose libri pëlqejte këtu? Derisa i shfletova e pëlqeva “Aventurat e kapitenit Brekushit”. Unë do të kisha pëlqyr të shkruaj libra komikë me fjalë shumë për të qeshur si ky libri që e kam në dorë tani”.
“Ëndrra ime e parë është që kur të rritem të jem i suksesshëm në profesionin tim, dëshiroj të bëhem inxhinier. Kurse ëndrra e dytë është që një ditë ti shohë të gjithë fëmijët anembanë dhe të gjithë njerëzit e varfër të jenë sikur ato që kanë kushte. Nuk kam orar të caktuar, lexoj çdo herë, gati gjithë ditën ja kushtoj leximit dhe libri im I preferuar është “Ditari i Ana Frankut”.
Për shkak të pandemisë shumë fëmijë nuk mundën të ndjekin mësimin nga distanca, posaçërisht ato nga vendet rurale. Mirëpo, sipas dikasterit të Arsimit, në mësimin online janë përfshirë mbi 90 % e fëmijëve.
Burimi: Alsat-TV