Idealizmi është botëkuptim, mënyrë e konceptimit të botës sipas të cilës ideja, mendimi dhe vetëdija janë përcaktuesit, formësuesit dhe formdhënësit e realitetit të jashtëm. Idealist, është personi që, para së gjithash, beson që realiteti është produkt i mendjes dhe idesë. Për të, realiteti i jashtëm është reflektim i një mozaiku dhe fotografie tashmë të parathënë, të farkëtuar e të gdhendur në një botë ideale, botë prej të cilës e shkoqit individi. Realiteti për idealistët është një masë amorfe që pritet të formësohet në bazë të idesë.
Në kuptimin e gjuhës së përditshme idealisti është nocion disi i shkapërderdhur, i shtrembëruar dhe i keqkuptuar. Para së gjithash, idealisti është një tip personi i cili beson në një ide që pak njerëz i besojnë. Për më tepër se virtyt, perceptohet si ves. Në shoqëri mund të dallojmë tre lloj idealistësh: të manipuluar, të fjetur dhe të esëllt.
Në grupin e parë, në grupin e “idealistëve të manipuluar”, bëjnë pjesë ata individ të cilët e adhurojnë imazhin e idealistit si sakrifikues, vetëmohues dhe heroit në ardhmëri. Një adhurim i tillë i bën ata të përmbysen dhe ngulfaten në rrjedhën e realitetit brenda të cilit ndjejnë adaptim të rehatshëm. Sado që, herë pas here, trumbetojnë sakrificën ata megjithatë mbeten të dyzuar në mes të karrierës/realizmit/konformizmit dhe idealizmit. Ndodh që në fund i humbin që të dyja, edhe “realen” edhe idealen. Kur humbin që të dyja rrezikohen të shpalosen si dyfytyrësh. Tragjike! Ego e sforcuar e këtyre individëve shformëson edhe imazhin e idealistit të dëshiruar.
Në grupin e dytë bëjnë pjesë, individët me idealizëm të fjetur. Mbase më mirë do të duhej t’i quajmë idealist të cunguar. Idealist në kllapi. Pra, këta nuk janë idealist të fjetur në kuptimin që pritet të zgjohen por janë të shtrirë në një gjendje konstante naiviteti. Thjesht, janë të mjerë. Nuk hezitojnë t’i ngjiten e të përbrendësojnë çfarëdo lloj kauze që u ofrohet apo ndeshen. Problemi i këtyre individëve rropatjet emocionale përpiqem përpiqen t’i përkthejnë si projeksione të një ideali të ardhmërisë. Bindja e tyre nuk konsiston në ndonjë stërvitje të thellë shpirtërore apo sfilitje mendore gjëra këto që do t’i bëjnë më të përkushtueshëm ndaj përpjekjes. Janë të fjetur ngaqë nuk mendojnë rrjedhimisht të paaftë të artikulojnë dhe të bashkëndjejnë.
Kush është idealisti i esëllt? Para së gjithash, ai është i kthjellët. Ai si uji që me lehtësi dhe butësi çan dhe arrin të penetrojë brenda çdo mali shkëmbor. Idealisti i esëllt është fukara në duar por jo në zemër. Paranë e mban në duar por nuk e dashuron me zemër. Nuk zhgënjehet nga mosdukja e rezultatit sepse është i bindur se koha punon në favor të tij. Duket i qetë sikur një bjeshkë me kreshta bore, gjersa brendësia u gurgullon lumenj të pastër. Nuk jetojnë në kllapi dhe të prangosur nga dosido “përpjekjesh”. Synojnë më të lartën, njerëzoren dhe të njerëzishmen. Të vërtetat e përkohshme janë pengesa e tyre kryesore por para sysh kanë gjithmonë të përjetshmen, të pashkatërrueshmen, të pafundmen. Ideali i tyre është i tillë veç nëse është universal dhe i vlefshëm për çdo qenie më vete dhe për tërë njerëzimin bashkë. Nuk vdesin për të, jetojnë për ta jetësuar atë. Nëse vdesin atëherë vdekja e tyre është protestë, thirrje dhe kushtrim.
Idealisti ngjitet drejt burimit të pastër drejt një sfide epike ndaj rrjedhës së lumit. Ai është i vetëdijshëm se notimi duke iu nënshtruar rrjedhës të shpien tek pellgu poshtë, atje ku janë grumbulluar mbeturinat. Ai nuk është realist, por megjithatë, është lexues i mirë i realitetit dhe anticipues i tij.
Për idealistin idealja dhe realja janë identike dhe përditshmëria nuk arrin ta tundoj. Idealisti i esëllt beson njeriu nuk mund të mendoj asgjë nëse atë nuk arrin ta mendoj. E realizueshme është, gjithçka që është e mendueshme.
Para së gjithash, ai është i kthjellët. Ai si uji që me lehtësi dhe butësi çan dhe arrin të penetrojë brenda çdo mali shkëmbor. Idealisti i esëllt është fukara në duar por jo në zemër. Paranë e mban në duar por nuk e dashuron me zemër. Nuk zhgënjehet nga mosdukja e rezultatit sepse është i bindur se koha punon në favor të tij. Duket i qetë sikur një bjeshkë me kreshta bore, gjersa brendësia u gurgullon lumenj të pastër. Nuk jetojnë në kllapi dhe të prangosur nga dosido “përpjekjesh”. Synojnë më të lartën, njerëzoren dhe të njerëzishmen. Të vërtetat e përkohshme janë pengesa e tyre kryesore por para sysh kanë gjithmonë të përjetshmen, të pashkatërrueshmen, të pafundmen. Ideali i tyre është i tillë veç nëse është universal dhe i vlefshëm për çdo qenie më vete dhe për tërë njerëzimin bashkë. Nuk vdesin për të, jetojnë për ta jetësuar atë. Nëse vdesin atëherë vdekja e tyre është protestë, thirrje dhe kushtrim.
Latif Mustafa