Një rrugë 270 km e gjatë, që dikur ka qenë vijë e një prej fronteve më të përgjakshme të Luftës së Parë Botërore, tani është shndërruar në një simbol paqeje.
Pjesë e këtij shtegu, është edhe një kishë e vetmuar prej druri që nderon 2564 ushtarët austro-hungarezë, të rënë në vitin 1916 në fushëbetejë. Fronti i dikurshëm 90 km i gjatë, niste nga Alpet e vazhdonte deri në detin Adriatik, duke ndjekur rrjedhën e lumit Isonzo, pranë kufirit historik që dikur ndante Italinë dhe Austrinë.
Sot, pjesa më e madhe e luginës i përket Sllovenisë, lumi Isonzo tani njihet si Soça, dhe shpatet rreth kishës janë të mbushura me pyje të dendur. Por 100 vjet më parë, lugina ishte krejtësisht e zhveshur dhe e kapluar nga zezona e vdekjeve të luftës. Kisha qëndron si një nga 230 monumentet e Luftës së Parë Botërore, bashkë me shumë llogore, shpella e varreza në këtë luginë që përbëjnë sot shtegun “Walk of Peace” (Ecja e paqes).
I shtrirë midis Sllovenisë dhe Italisë, shtegu është i ndarë në 15 rrugë ecjeje njëditore, që nisin nga mali Rombon në Alpet Juliane deri në Trieste, Itali, në bregun e Adriatikut. “Walk of Peace” (Ecja e paqes) u inaugurua në mars të vitit 2015 dhe konsiderohet një muze i gjallë që u kujton udhëtarëve rëndësinë e saj në luftë. Mirëpo veç vlerave historike, kjo luginë i njeh vizitorët edhe me kulturën rurale të banorëve të saj. Biodiversiteti i pasur, kulinaria unike, si dhe peizazhet mahnitëse, janë vetëm disa prej elementeve që po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë në Shtegun e Paqes.