BELGJIKË/ Bëhet e detyrueshme që të punohet 4 herë në javë nga shtëpia

Për të frenuar valën e katërt të pandemisë së koronavirusit, autoritetet belge morën sot një vendim për punën e detyrueshme nga shtëpia 4 ditë në javë.

Deri më tani, në Belgjikë ka qenë në fuqi vetëm rekomandimi për të punuar nga shtëpia për të reduktuar transmetimin e virusit mes punonjësve.

Detyrimi për të punuar nga shtëpia, aty ku është e mundur, do të hyjë në fuqi më 20 nëntor.

“Qëllimi i kësaj mase është të kufizojë infeksionet në vendin e punës si dhe në transportin publik”, thonë zyrtarët belgë.

Zyrtarët belgë bëjnë thirrje për distancë maksimale fizike mes njerëzve dhe që kontaktet të jenë të kufizuara, veçanërisht në ambiente të mbyllura.

Lejet për COVID, të cilat janë të nevojshme për hyrjen në bare, restorante dhe evente belge me më shumë se 50 persona në ambiente të mbyllura, pra 100 persona jashtë, tashmë do të shoqërohen me mbajtjen e detyrueshme të maskave mbrojtëse.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Konsultativ u mor vendimi për detyrimin e vendosjes së maskave mbrojtëse në të gjitha hapësirat publike të mbyllura dhe transportin publik për të gjithë personat mbi 10 vjeç.

“Nëntë në dhjetë qytetarë janë vaksinuar dhe kjo është arsyeja që ne nuk jemi sërish në shtetrrethim”, tha kryeministri Alexander De Croix.

Në javën e fundit, Belgjika ka regjistruar mesatarisht mbi 10,000 infeksione të reja në baza ditore, që është pothuajse 30 për qind më shumë se në fillim të nëntorit.

Mbi 230 persona pranohen në spitale çdo ditë dhe mesatarisht 26 persona vdesin çdo ditë si pasojë e infeksionit me koronavirus.