ROBERTO BOLAÑO/ Si të shkruash

12 pika që duhet ndjekur për të shkruar një tregim, sipas shkrimtarit kilian, të nxjerra nga eseja e tij “Mes parantezash”

1- Mos i shkruaj njërin pas tjetrit. Duke bërë kështu ka rrezik të shkruash përherë të njëjtin tregim deri në ditën e vdekjes.

2- Shumë më mirë është të shkruash të paktën tre a katër tregime përnjëherë. Po pate energjinë e duhur, edhe nëntë a pesëmbëdhjetë.

3- Kujdes: përpjekja për t’i shkruar dy tregime përnjëherë është po aq e rrezikshme sa ajo që ju çon të dëshironi ta shkruani një të vetëm, ngase, diçka shumë e rëndësishme, rrezikohet të krijohet një lojë pasqyrash mes të të dashuruarve, një shëmbëlltyrë e dyfishtë që prodhon melankoli.

4- Duhet t’i lexosh Horacio Quiroga-nFelisberto Hernández-in dhe Jorge Luis Borges-in. Duhet të lexohen po ashtu edhe Juan Rulfo dhe Augusto Monterroso. Çdo shkrimtar tregimesh që i çmon këta autorë nuk do ta lexojë kurrë Camilo José Cela-n apo Francisco Umbral-in, përkundrazi Julio Cortázar-in dh Adolfo Bioy Casares-in, por kurrë Cela-n apo Umbral-in.

5- Po e përsëris edhe një herë, në rast se nuk ishte e qartë: Cela dhe Umbral-i nuk duhet të merren parasysh, në asnjë mënyrë.

6- Shkrimtari i tregimeve duhet të jetë i guximshëm. Është e trishtshme, por kështu është.

7- Shkrimtarët e tregimeve zakonisht lavdërohen se e lexojnë Petrus Borel-in (Joseph-Pierre Borel). Nga ana tjetër, shumë shkrimtarë tregimesh janë të njohur si imitues së stilit të shkrimit të Boreli-it. Gabim! Më parë do të duhej ta imitonin mënyrën e tij të veshjes. E vërteta është se nuk dinë pothuajse asgjë për të, Théophile Gautier-in, apo Gérard de Nerval-in.

8- Ta bëjmë një pakt: lexojeni pra edhe Petrus Borel-in, vishuni si Petrus Borel-i, por lexojeni edhe Jules Renard-in dhe Marcel Schwob-in. Mbi të gjitha, lexojeni Schwob-in, pastaj kaloni te Alfonso Reyes-i, e nga aty arrini te Borges-i.

9- E vërteta është se me Edgar Allan Poe-n veçse kemi material të shkëlqyeshëm për të lexuar, në sasi më shumë se të mjaftueshme.

10- Rimendojeni pikën 9. Mendoni dhe reflektoni për të. Keni ende kohë. Mendoni për numrin nëntë. Po qe e mundur, bëjeni në gjunjë.

11- Do të duhej të lexoni edhe autorë të tjerë dhe libra shumë të rekomanduar. Për shembull, Traktatin Sublim ((Perì Hýpsous) të Pseudo Longinit (shek. I p.e.s); sonetet e të pafatit dhe sypatremburit Philip Sidney, biografia e të cilit që shkruar nga Lord Brooke; Antologjinë e Spoon River, të Edgar Lee Masters-it; Vetëvrasje shembullore, të Enrique Vila-Matas dhe Teksa gratë flenë, të Javier Marías-it.

12- Lexojini këto libra, por edhe Anton Çehovin dhe Raymond Carverin, ngase njëri prej dyve është pa dyshim shkrimtari më i mirë i shek. XX.

/Gazeta Express