Aktori dhe regjisori i njohur Alfred Trebicka ka shpërthyer ashpër ndaj filmave të Ermal Mamqit dhe atij të Bes Kallakut, duke i quajtur sharlatanë të kinemasë.
Trebicka u shpreh se në Shqipëri njerëz pa asnjë lloj formimi dalin e vetëquhen kineastë, ndërsa i bëjnë të gjitha vetë nga regjia, skenari dhe roli.
Trebicka refuzoi të përmendë emra, por dy filmat e fundit shqiptarë që po propagandohen më së shumti në media janë “I love Tropoja” i Mamaqit dhe “Falko” i Bes Kallakut. Që të dy janë kritikuar tepër nga figura të njohura të artit.
Aktori theksoi se të bërit një film duhet punë e madhe dhe jo të vish nga asgjëja e të dukesh sikur je kineast.
Në emisionin “Vizioni i Pasdites”, Trebicka tha:
“Këtu po ndodh një fenomen jo i këndshëm në atdheun tonë të dashur. Këtu po dalin njerëz pa asnjë lloj formimi dhe thonë unë jam kineast. Fjala kineast është fjalë shumë e madhe. Që të etiketosh dikë apo ti thuash dikujt që je kineast duhet ta pyesësh veten mirë sepse ka një mori komponentësh që duhet të zotërojë një individ që të quhet kineast apo të jetë i tillë. Vetëshpallen kineastë, nuk dua ti përmend me emra sepse nuk është etike, por po i shohim nga dita në ditë, një film nga ky, një film nga ai dhe thua ore kush është ky që thotë një film ka ky. Ore bëjnë skenarin vetë, regjinë vetë, rolet vetë. Është e pamundur sepse nga historia e kinemasë, nga përvoja ime, vazhdimisht them me vete nëse ka art më të vështirë për tu ekzekutuar është arti i kinemasë, është art kompleks ka të bëjë me imazhin, zërin me mendimin, filozofinë, një mori komponentësh. Një njeri që vjen nga asgjëja dhe thotë do të bëj film. Këtu janë keqkuptuar shumë gjëra të tjera. Të bërit kinema apo film nuk është çështje tregu. Ka kapur tregun ky, di se çdo tregu ky, cili treg? Për cilin treg flasin këta? Unë si profesionist do ti quaja sharlatanë këta janë sharlatanë të këtij arti të madh siç është kinemaja. Dhe trumbetojnë, kanë ca mjete, kanë gjetur ca burime financiare që ata e dinë, punë e tyre as hyj dhe as nuk më intereson fare.”
Burimi: infoshqip.com