Shoqata e punonjësve të filmi të Maqedonisë kanë zgjedhur filmin “Motra” të regjisores Dina Duma për kandidat nacional të Maqedonisë së Veriut për shpërblimin “Oskar për film më të mirë internacional me metrazh të gjatë”, informuan nga shoqata, transmeton Portalb.mk.
Në konkurrencë për kandidaturë ishte edhe filmi “I zhdukuri” me regji të Arben Thaçit. Akademia amerikane publikoi se ceremonia e 94-të për ndarjen e oskarëve do të mbahet të dielën, 27 mars 2022, në Los Anxhelos.
Përzgjedhjen e filmit e ka bërë komisioni i SHPF me përbërje: Dejan Dimeski – kinematograf dhe kryetar i komisionit, Robert Jankullovski – fotograf dhe kinematografer, Petar Bogoevski – dizajner i ndriçimit, Nesrin Tair – aktore, Snezhana Ponjeviq – Muça – skenografe, Aleksandër Pejovski – kompozitor dhe Driton Vejseli – aktor, e pranuar dhe e miratuar nga akademia amerikane.