Filmi “Kthimi” një pasqyrë për traditën shqiptare dhe plagët e gurbetit

Tradita dhe kultura shqiptare, plagët e mërgimit dhe rrugëtimi i vështirë për tu integruar në një martesë me të huaj, ishin fokusi i filmit “Kthimi” me regji të Kastriot Abdyli, i cili u shfaq në kinema në qiell të hapur mbrëmë në vendlindjen e tij në Llojan.

Filmi ka marrë pjesë në festivale me renome ndërkombëtare si në Manhaim të Gjermanisë, në Innsbruck të Austrisë, në Oldenburg dhe shumë metropole tjera evropiane, por kënaqësia e madhe dhe ndjesia e thellë e regjisorit ishte para publikut që ishte rritur me ta, njofton agjencia e lajmeve INA.

Ngjarja zhvillohet në një fshat shqiptar. Iliri, një i ri shqiptar nga Maqedonia që emigroi në Francë, ka vendosur të martohet me një franceze me emrin Sabine.

Ndonëse, martesa ishte e nevojshme për protagonistin kryesor në film sepse nuk kishte dokumenta valide për qëndrim në Francë, ai e dontë Sabinën, por kishte lënë një peng në fshatin e tij.

Ai e kishte dashuruar një vajzë me emrin Bardha, për të cilën akoma kishte ndjenja dhe dilema dhe që i kishte dhënë besën se nuk do ta braktiste kurrë.

Megjithatë, ai vendosë të martohen me francezen dhe pas shtatë viteve kthehet në vendlindje për ta organizuar ceremoninë e dasmës.

Sidoqoftë, vizita e tyre e papritur bëhet e tharë kur babai i Ilirit, një burrë tradicional i moshuar, e kupton se djali i tij është kthyer vetëm për t’u martuar me një grua të huaj dhe pastaj për t’u larguar, duke thyer “Besën” që ai i kishte bërë Bardhës.

Vajza bardhoke me emrin Bardha ndjehet e thyer dhe pa shpresë. Pritja dhe ëndërrat e saj për shtatë vite ishin thyer keq.

Në anën tjetër, Sabina ndjehet e hutuar dhe habitur me ambientin e ri. Ajo mëson gjëra që si kishte ditur për rrënjët e origjinës së të dashurit të tij.

Këtu fillojnë të shfaqen kontradiktat mes kulturës perëndimore dhe asaj shqiptare e që shkaktojnë edhe situata komike.

Ky projektë është tendencë e regjisorit për të shpalosur jashtë trojeve, traditën dhe kulturën e shqiptarëve si dhe plagët e mërgimit që akoma kullojnë gjak.

Regjisori Abdyli tamam kthehet në një ambasador, i cili përshkruan për mrekulli adetet e shqiptarëve, respektin ndaj prindërve, familjes, fqinjëve, miqve si dhe dasmat shqiptare plotë hare e gëzim, që sot thuajse sot i kemi harruar edhe ne shqiptarët.

Por nuk është vetëm kjo, regjisori flet edhe për plagët e mërgimit, martesat me të huaj që pastaj kthehen me shumë pasoja për shkak të kulturave dhe mentaliteteve të ndryshme.

Ai përshkruan edhe kthimin e mërgimtarëve të cilët shtojnë dinamikën e jetës në vendbanimet tona dhe pastaj ikjen e tyre, kur gjithcka shuhet dhe mbetet vetëm dy të moshuar, nënë e babë, pa nipër e mbesa, të vetmuar dhe të thyer në zemër, me një vetmi që nuk durohet.

Në rolet kryesore, pra në rolin e Sabine, paraqitet Delphin Depardieu , aktorja nga Franca (njëherësh mbesa e aktorit me famë botërore Xherard Depardeu). Krahas saj në rolet kryesore paraqiten Selman Lokaj, Hazir Sh. Haziri, Liridona Shehu, Safete Rogova, Sefedin Nuredini.
Drejtori I Fotografisë Vlatko Samoilovski, Kostumograf Izet Curri, Skenograf Zeni Ballazhi, Kompozitorë Memli Kelmendi, Montazhier Kastriot Saqipi dhe Blagoje Nedelkovski, Producent Ekzekutiv Simeon Damevski.

Në rolet tjera paraqiten: Xhevat Qoraj, Shkëlqim Islami , Ismail Kasumi, Labinot Lajqi, Valon Bujupi, Virus Shala, Venera Lumani, Zijadin Murtezi , Teuta Ajdini, Hamdi Rashiti ,Muqbajadin Qamili,Nikola Kumev, Avdullah Gjikoka, Ellhame Bilall, Beqir Nuredini, Shota Baraliu, Muzafer Etemi, Flerentina Ademi, Valdete Ismaili, Donika Ahmeti, Enver Halimi, Agim Sulejmani, Ramadan Malaj, Abdurahman Rahman, Shkup Abdyli, Jon Saqipi, Arb Abdyli, Rron Grajqevci, Nadire Ismaili Salihu, Burhanedin Salihu Metush Agjani, Shoqëria Kulturo Artistike “Karshiaka”. (INA)