Tetova me konvikt shtetëror për studentët

Konvikti i ri për student që po ndërtohet për nevojat e Universitetit të Tetovës pritet të jetë gati për pritjen e studentëve në vitin e ardhshëm akademik.

Ky lajm bëhet i ditur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Punimet ndërtimore kanë përfunduar plotësisht , ndërsa aktualisht po pajisen dhomat dhe të gjitha hapësirat e tjera që do të jenë në dispozicion të studentëve të cilët studiojnë ose që do të vendosin të studiojnë në të ardhmen në këtë universitet shtetëror dhe do të kenë nevojë për akomodim.

Mbikqyrje të aktiviteteve sot realizoi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri së bashku me zëvendësministrin Agim Nuhiu, rektorin e universitetit Prof. Dr.Kushtrim Ahmeti dhe kryetarin e senatit universitar Prof. Dr Vullnet Ahmeti.

Shaqiri informoi se është një investim jashtëzakonisht i madh që po realizohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe është në fazën përfundimtare të realizimit. Do të pasojë rregullimi parter dhe kyçja e konviktit për student me infrastrukturën e ujësjellësit dhe energjisë elektrike të qytetit.

“Tetova do të bëhet me kampus të plotë universitar”. Përveç hapësirave në të cilat zhvillohet veprimtaria mësimore-shkencore, me ndërtimin dhe vënien në funksion të konviktit të studentëve, universiteti shtetëror do të mund të ofrojë një shërbim të plotë për qytetarët e ardhshëm akademikë dhe pritet që të tërheqë një rritje të konsiderueshme të numrit të studentëve në periudhën e ardhshme. Këtu ka munguar kapaciteti akomodues dhe me përkushtimin e Qeverisë po ndërtohet konform të gjitha standardeve bashkëkohore të cilësisë”, tha Shaqiri, duke shtuar se konvikti i ri do të mund të akomodojë rreth 300 studentë.