Javën tjetër do të shqyrtohet kërkesa e maturantëve për shkurtimin e materialit për maturën shtetërore

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri ka njoftuar se javën e ardhshme do të shqyrtohet kërkesa e maturantëve për shkurtimin  e materialit për dhënien e provimit të maturës shtetërore.

Ai shtoi se në mbledhje duhet të shqyrtohen rregulloret ligjore, gjegjësisht çfarë lejon ligji të ndryshohet në këtë moment në lidhje me kërkesën e maturantëve, duke qenë se tashmë janë caktuar provimet e maturës shtetërore.

Ditën e djeshme, para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), një grup gjimnazistësh kanë protestuar, duke kërkuar nga autoritetet shkurtimin e materialit për dhënien e provimit të maturës shtetërore, pasi siç thonë ata vitet e fundit si gjeneratë, ata kanë humbur shumë mësim për shkak të pandemisë së Covid-it, por dhe për shkak të situatës së krijuar me kërcënime me bomba në shkolla.