“Të hiqet një provim ose të shkurtohet materiali”/ Shaqiri: Çdo kërkesë do të shqyrtohet, nxënësit të mos shfrytëzohen

Të shkurtohet materiali i provimit të maturës shtetërore apo të hiqet një lëndë zgjedhore. Kjo është kërkesa e Organizatës për Dialog dhe Afirmim të Nxënësve të Shkollave të Mesme dhe Studentëve. Kjo kërkesë sipas kryetares së kësaj organizate  Anisija Ugrinovska vjen si pasojë e mosmbajtjes së rregullt të orëve mësimore gjatë vitit shkollor.

“Për maturën shtetërore konkretisht nxënësit e shkollave të mesme janë deklaruar në debatin e organizuar nga ne dhe qëndrimi i tyre kryesor ishte se si gjeneratë nuk kemi pasur vit shkollor të pandërprerë dhe për këtë shkak do të kërkojmë të shkurtohet materiali ose të hiqet një lëndë zgjedhore, në vend të dy testeve interne të ketë vetëm një bashkë me dy testet eksterne”, tha Shaqiri.

Me këtë motiv do të mbahet të premten, siç e quan Ugrinovska, tubimi paralajmërues para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Megjithatë për këto kërkesa ministri Jeton Shaqiri tha se njësitë mësimore që nuk janë përfshirë gjatë orëve mësimore nuk do të jenë pjesë e provimit shtetërorë.

“Sa i përket materialit që deri tani nëse Unioni i Nxënësve i cili është në komunikim të përditshëm me QShP-në thotë se materiali i cili nuk është kaluar nuk hyn në data bazën e pyetjeve të cilët ata bashkë me profesorët i kanë kaluar në atë periudhë do të duhet ta rishikojë në QShP”, tha Jeton Shaqiri,  ministër i MASH.

Ministria është e hapur për shqyrtim të çdo kërkese pavarësisht nga kush vjen, megjithatë Shaqiri shton se nëse këto kërkesa janë të pabaza ka vend për dyshime se nxënësit dhe studentët po shfrytëzohen për qëllime tjera.

Përndryshe nga Organizata për Dialog dhe Afirmim theksojnë se pa pasur qasje në materialin që është shkurtuar nuk do të heqin dorë nga kërkesa e tyre. /TV 21