Shaqiri: Gjysmëmaturantët lehtë do të vendosin se ku do të vazhdojnë arsimin e mesëm nëse shohin se çfarë kuadri mungon në tregun e punës

Politika e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është orientuar drejt avancimit dhe promovimit më të madh të arsimit të mesëm profesional, sepse është deficitar dhe kemi mungesë të kuadrit profeional në vend. Kjo do të thotë se përzgjedhja e shkollës së mesme profesionale është vendim i cili ofron një mundësi më të madhe për prosperitet personal, për punësim të shpejtë pas diplomimit, por edhe bazë të mirë për zhvillim të mëtejshëm akademik.

Kështu deklaroi sot ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri me rastin e ditës së hapur të shkollës së mesme “Cvetan Dimov” në Shkup ku nxënësit e shkollave fillore nga komuna e Çairit u njoftuan me profesionet dhe drejtimet arsimore që i ofron shkolla për  vitin shkollor  2022-2023, me programet dhe mundësitë për trajnim praktik. Ai gjithashtu ju bëri thirrje të rinjve që të mos ngurrojnë që të zgjedhin arsimin profesional.

“Unë i këshilloj gjysmëmaturantët që të udhëhiqen nga dëshirat dhe afinitetet personale, por gjithmonë të kenë parasysh informacionin se çfarë lloj arsimi kërkohet në tregun e punës. Kështu më lehtë do të sjellin  vendimin, sepse do të shohin se është arsimi profesional”, theksoi Shaqiri, duke shtuar se “Cvetan Dimov” është një shkollë e shkëlqyer e cila tashmë është integruar me sukses në shoqëri dhe në proceset shoqërore

“Mos e humbisni rastin të bëheni njerëz të zellshëm, përplot me njohuri dhe aftësi praktike që do t’ju sjellin prosperitet”, porositi  Shaqiri nxënësit e shkollave fillore në Çair.

Ai vlerësoi stafin e shkollës, për të cilin tha se është kombinim i  mësimdhënësve me përvojë, por edhe i kolegëve më të rinj të cilët i janë përkushtuar plotësisht kësaj pune, ndërsa  rikujtoi se objekti i shkollës është i rikonstruktuar dhe i pajisur mirë për mësim.

Për vitin shkollor  2022-2023, SHMQSH “Cvetan Dimov” sipas Konkursit për regjistrim do të ketë 12 paralele për disa drejtime arsimore në profesionin ekonomiko – juridik dhe tregti dhe në atë shëndetësor. Risi është  hapja e një paralele për motër medicinale në gjuhën turke.