Shahu, lëndë zgjedhore nga viti i ri shkollor: “Do t’u ndihmojë nxënësve ta përvetësojnë materialin e lëndëve të tjera”

Shahu nuk është vetëm që pensionistë ta kalojnë kohën në ndonjë park, thotë shahisti Zoran Stojçevski. Përfitimi është i madh, shton ai. Prandaj, në vitin e ri shkollor, shahu do të jetë lëndë zgjedhore për nxënësit e klasës së parë dhe të dytë. Kjo do t’u ndihmojë nxënësve që t’i përvetësojnë edhe lëndët e tjera.

“Për të hyrë në sistemin arsimor ose në cilindo sistem që diktohet nga pushteti qendror ose Ministria e Arsimit, duhet t’u përshtatesh rregullave, respektivisht rregullat duhet të jenë në përputhje me nevojat. Kjo ndodhi në disa vitet e fundit. Ka pasur një ndryshim të mundësisë për shtimin e lëndëve zgjedhore dhe kjo na hapi mundësi që ne si Federatë e Shahut të luftojmë që shahu të bëhet lëndë zgjedhore në arsimin fillor”, tha Sasha Bogdanoviq, kryetar i Federatës së Shahut.

Në vendin tonë ka traditë të gjatë. Federata e Shahut ekziston që nga vitet e ‘40-ta, kurse kryetari i saj i parë ka qenë Bllazhe Koneski. Edhe deri më tani kishte vullnet dhe koncept, por mungonte mënyra dhe forma për futjen në procesin arsimor.

Programi është përgatitur nga trajnuesit më të mirë të shahut. Për momentin, ka rreth 30 trajnues të certifikuar nga Federata Botërore e Shahut (FIDE) dhe 20 të tjerë që kanë certifikatë nga Unioni Evropian i Shahut. Gjatë dy viteve të fundit janë trajnuar personat që do t’i mësojnë nxënësit në shkollat fillore.

“T’i thyejmë ato stereotipa për shahun. Gjatë vetë trajnimit do të përdoren softuerë dhe pajisje të tjera elektronike, të cilat janë përfitimet e kohërave moderne. Kështu që, pres mësime tejet interesante me fëmijët përmes lojës, sepse bëhet fjalë për kategori të moshës 6, 7, 8 vjeçare të cilat do t’i mësojnë sekretet e lojës së shahut”, pohoi Zoran Stojçevski, shahist.

Është për t’u ardhur keq që Asociacioni i Shahut perceptohet vetëm si pensionistë të ulur në stolat e parkut, thotë Stojçevski. Përfitimi është i madh nëse fillon të luhet që nga mosha më e re. Zhvillohen aftësi logjike dhe kjo do t’u ndihmojë nxënësve që ta përvetësojnë më lehtë materialin e lëndëve të tjera. Është i rëndësishëm edhe momenti social. Familja do të kalojë më shumë kohë bashkë, e jo vetëm me telefon në dorë.

Nga Federata thonë se kemi të rinj dhe përfaqësuese të suksesshme në shah, e cila në mënyrë të denjë përfaqëson vendin tonë në garat botërore, madje edhe në Olimpiadë, prej ku u kthyen dje. /TV21/