SASHK-u dhe Qeveria u rikthyen sot në tavolinën e bisedimeve, këto janë detajet

SASHK-u dhe Qeveria janë rikthyer sot në tavolinën e bisedimeve në përpjekje për të gjetur zgjidhje për kërkesat e mësimdhënësve për rritje te pagave në arsim, shkruan Alsat.


Kryetari i Sindikatës për Arsim, Jakim Nedelkov, tha se hynë në takimin e sotëm  si optimist, mirëpo tha se nuk mund të japë qëndrim konkret se çfarë epilogu pret nga bisedimet.

Ai tha se do të diskutohet edhe pagesa e mëditjeve në arsimin fillorë, të mesëm dhe në çerdhe dhe u bëri apel kolegëve të tij për durim.

“Epo unë do të doja që të ketë zgjidhje brenda këtyre 10 ditëve. Ekziston edhe një mundësi që nëse njëra nga palët është e pakënaqur të kërkojë edhe 10 ditë të tjera, të përfundojë procesi. Të shpresojmë që gjatë këtyre 10 ditëve t’i nivelojmë qëndrimet. Eventualisht më frikëson përsëritja e përllogaritjeve, bëhet fjalë për mjetet për pagat. Ne e kemi shumë të qartë kërkesën, problem i tyre është që të sigurojnë mjetet e nevojshme”, tha Jakim Nedelkov- kryetar i SASHK-ut./ Alsat.mk