Programe bashkëkohore dhe të barabartë në arsim

Mbi 400.000 nxënës, mësimdhënës, punonjës të shkollave dhe prindër janë përfshirë në projektin e USAID-it për integrim ndëretnik të të rinjve në arsim, i cili është zbatuar gjatë pesë viteve e gjysmë në bashkëpunim me institucionet arsimore dhe të gjitha shkollat fillore dhe të mesme dhe komunat në mbarë vendin. Projekti që synonte forcimin e kohezionit ndëretnik në shkolla, edukimin qytetar dhe pjesëmarrjen e të rinjve përfshinte më shumë se 5.000 aktivitete në nivel shkollash dhe komunitetesh lokale dhe krijoi mundësi për ndërveprim ndërmjet nxënësve nga bashkësitë e ndryshme etnike dhe inkurajimin e kreativitetit dhe pjesëmarrjes së të rinjve. Nxënësit u përfshinë në një sërë aktivitetesh – nga ekologjia dhe sportet tek ndihma dhe mbështetja e të moshuarve. Një nga përfitimet e projektit është vendosja e lëndës Edukatë Qytetare në shkollat fillore dhe të mesme profesionale. Në kuadër të projektit, me mbështetjen financiare të Komandës Evropiane të SHBA-së (EUKOM), u rinovuan edhe 60 shkolla, të cilat përmirësoi ndjeshëm kushtet e mësimdhënies për më shumë se 42.000 nxënës dhe mësues.

Në ngjarjen me të cilën u shënua mbyllja e projektit të USAID-it, i organizuar simbolikisht në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, përmes një diskutimi rinor dhe një programi argëtues, u prezantuan të arriturat në kuadër të projektit, me theks zëri i të rinjve dhe duke mbështetur idetë dhe iniciativat e tyre për ndryshime pozitive.

Me këtë rast, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliti, u shpreh mirënjohës ndaj punës pesë vjeçare të këtij projekti dhe ndikimit që kishte mbi arsimimin dhe zhvillimin e të rinjve në Maqedoninë e Veriut. “Jam shumë i lumtur që jam këtu mes jush të marr pjesë në mbylljen zyrtare të Projektit të USAID-it që kishte për qëllim integritetin ndëretnik të të rinjve në arsim. Jam krenar për këtë bashkëpunim dhe falë këtij projekti, sot nxënësit tanë nëpër shkolla fillore dhe ato të mesme profesionale mësojnë me programe bashkëkohore modern. Brenda pesë viteve u zhvilluan më shumë se pesëmijë aktivitete rinore të cilat i dhanë mundësinë të rinjve të jenë të përfshirë dhe të barabartë”, tha Aliti.

Në këtë program mbajti fjalim edhe Erik Mejer, zëvendës shef i Misionit të Ambasadës së SHBA-së në Shkup, i cili theksoi se Ambasada e Amerikës në Maqedoni gjithmonë do të jetë mbështetëse e Maqedonisë. “Jam shumë i lumtur që jam këtu me ju të shënojmë pesë vjetorin e këtij partneriteti të suksesshëm. Vëllimi i investimeve tona është mbresëlënës dhe mund të them që pesë vitet e kaluara kanë shumë për çka mund të krenohemi por ka ende për t’u realizuar. Në këtë projekt është përfshirë edhe Ushtria Amerikane dhe shumë institucione tjera shtetërore në Amerikë me ndihmën e të cilave u mundësua rindërtimi i gjashtëdhjetë shkollave në Maqedoni”, shprehu Mejer. Në program u listuan të gjitha arritjet që ndodhën me ndikimin e këtij projekti, ku më kryesoret ishin mbi katërqind mijë benefite për nxënësit, tetëmijë orë mësimore digjitale, pesëmijë aktivitete rinore dhe gjashtëdhjetë shkolla të rindërtuara. (koha.mk)