Pandemia thelloi problemet me arsimin shqip, vlerësojnë profesorët Xheladin Murati dhe Avzi Mustafa në tribunën e ITSHKSH-së

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup (ITSHKSH) ka shënuar sot përmes një tribune shkencore 134-vjetorin e Ditës së Arsimit Shqip. Aktiviteti në fjalë u organizua sipas masave për parandalimin e përhapjes së Virusit COVID 19, ndërsa tema e Tribunës së këtij viti ishte në unison të plotë me situatën e krijuar.

Fjalimin hyrës e ka mbajtur koordinatorja për organizimin e tribunës, Laura Papraniku Bejtullau.

Ndërkaq drejtori, Skender Asani tha se, “ITSHKSH-ja jo vetëm që është e vendosur të kontribuojë në zhvillimin e debatit shkencor për të gjitha ngjarjet dhe personalitetet që me madhështinë e tyre i kanë vënë vulën historisë dhe kulturës shqiptare, por do të shfrytëzojë të gjitha kapacitete intelektuale dhe shkencore për ti promovuar ato vlera edhe në rrafshin ndërkombëtar”.

Ekspertët e arsimit, Xheladin Murati dhe Avzi Mustafa, dhanë vështrimet analitike për ndikimet që ka Pandemia në “jetën shkollore” të gjithë aktorëve të sistemit arsimor.

“Pandemia Covid-19 bëri që arsimi ti nënshtrohet një kaosi të madh të dijes e të organizimit të shkollës. Një nga arsyet kryesore e këtij kaosi dhe kësaj krize është edhe mungesa e një strategjie korrekte për qasjen ndaj virusit dhe për organizimin e shkollës. Mësimi on-line mund të jetë një formë shumë e mirë për sistemin e arsimit universitar. Përmes platformave të këtilla mund dhe duhet të organizohet mësimi nëpër universitete, por kur behet fjalë për arsimim parauniversitar, pra për shkollat fillore dhe të mesme, gjërat ndryshojnë, sepse nuk kemi as kushtet dhe as mundësitë që të pajisim nxënësit me dijet, kompetencat dhe shkathtësitë të cilat përfitohen në shkollë”, vërejti profesori Murati.

Ndërkaq, profesori Mustafa tha, se ”situata me Pandeminë përkeqësoi dhe thelloi ende me shumë problemet në sistemin tonë arsimor, sepse ishim të pa përgatitur për të përshtatur procesin mësimor nga format kovencionale në format e mësimit përmes teknologjisë informatike”.

Profesori Lulzim Mehmedi, iu referua sfidave për organizimin dhe menaxhimin e mësimit të arsimin parauniversitar.

“51.4% e mësimdhënësve pajtohen se fillimi i pandemisë na gjeti të papërgatitur për mësim në distancë, 33.7% pajtohen plotësisht, ndërsa nuk pajtohen vetëm 9.8% e tyre”.

Kjo, sikurse plotësoi ai, nënkupton se arsimin parauniversitar e gjeti RMV-në të papërgatitur. Lidhur me platformën, të cilën më së tepërmi e kanë shfrytëzuar mësimdhënësit në periudhën mars – qershor 2020, në bazë të anketës që profesori Mehmedi ka realizuar me 428 mësimdhënës, 49.6% e tyre kanë deklaruar se e kanë përdorur Zoomin, 11.3% Google Meet, 12.5% Viberin dhe 18.9% asnjërën.

Jashtëzakonisht i vogël është numri i mësimdhënësve që nuk kanë realizuar mësim. Ligjëruesja e shkencave sociale, Elisabeta Bajrami Ollogu u ndal në përvojat dhe praktika e mësimit on-line në arsimin universitar. Përvojat e përfituara sipas saj, mund të shërbejnë si bazament i shëndoshë për krijimin e modeleve alternative për të ardhmen, ndërsa mësimi on-line tha se nuk duhet parë vetëm me ngjyrat “bardh e zi”, aq më tepër kur bota po mbështet çdo ditë e më shumë tendenca që mësimi on-line të shërbejnë si model për organizmin e arsimit të lartë.

Raste të këtilla, pra universitete on-line ka plot dhe shtet më të afërt gjeografikisht për këtë e kemi Shqipërinë./TV21