Nxënësit “turpërohen” të marrin ushqim nga shtëpia, nutricionistja Nesimi: Ushqimet e shpejta sjellin një sërë problemesh shëndetësore

Nxënësit turpërohen të marrin ushqim të përgatitur nga shtëpia, ndërkaq në afërsi të shkollave në Tetovë nuk ka lokale ku shitet ushqim i shëndetshëm. Sipas nutricionistes Enesa Nesimi, të ushqyerit keq, sidomos në adoleshencë, sjell probleme të mëtutjeshme ndër të cilat janë shëndeti i zemrës, dobësimi i gjakut dhe humbja e koncentrimit, shkruan Portalb.mk.

Shkollat fillore dhe të mesme në Tetovë nuk kanë mjaftueshëm pika ushqimore për nxënësit, aq më pak pika ushqimore ku shitet ushqim të shëndetshëm. Hulumtimi i Portalb.mk në terren ka treguar se këto shkolla janë të rrethuara nga dyqane për ushqim të shpejtë ose markete.

infografik, ushqim
Infografik: Llojet e pikave ushqimore në afërsi të shkollave në Tetovë

Edhe në markete nxënësit kryesisht blejnë ushqime ushqime të pashëndetshme, si çips, ëmbëlsira, pije energjike, e kështu me radhë.

“Turp” të marrësh ushqim prej në shtëpi 

Prindërit dhe mësimdhënësit janë munduar ta zgjidhin këtë problem në mënyrat e tyre. Mësimdhënësit klasor të shkollave fillore “Liria”, “Kirili dhe Metodij”, “Naim Frashëri” dhe “Istikball”, nxisin nxënësit të marrin ushqim prej në shtëpi. Disa prej tyre e kanë bërë obligative të ushqyerit në klasë deri në klasën e tretë, sepse kanë vërejtur se kur është opsionale, mes nxënësve ka ngacmime për ata që kanë marrë ushqim prej në shtëpi. Këto masa i arsyetojnë edhe me atë se janë ende të vegjël dhe nuk mund të shtyhen me nxënësit më të rritur nëpër dyqane, por pas klasës së tretë thonë se nuk mund t’i obligojnë më.

Edhe sipas prindërve, fëmijëve u vjen “rëndë” të marrin ushqim prej në shtëpi pas klasës së tretë.

“Unë fëmijës tim prej në shtëpi i bëj ushqim. Edhe ashtu frikësohem ta lë vetë se ky klasa e dytë ku do shtyhet me të gjimnazit”, tha një prind.

“Kur e sjelli në shkollë ndalem i blej këtu ndonjë tost ose sendviç se s’kemi kohë të them të drejtën… Po janë po tash nuk mund ta ndaj prej të tjerëve kur i blej diçka tjetër nuk e nxjerrën prej çante”, tha një prind tjetër.

“Djalin tash e kam klasa e parë i jap ushqim prej në shtëpi. Vajza është klasa e shtatë asaj ja kam më shumë gajlen. Nuk merr thotë askush prej në shtëpi në klasën e saj”, tha një prind.

Prindërit e shkollës Goce Dellçev thanë se paguajnë për mensën e shkollës kështuqë nuk e kanë shumë problem, edhe pse kohë pas kohe ka një tendencë për t’i harxhuar paratë për ushqim të shpejtë.

Rrëmujë gjatë pushimit

Për shkak të grumbullit që krijohet para dyqaneve në kohën e pushimit, nxënësit mundohen të kursejnë kohë duke porositur ushqim paraprakisht, ose duke shkuar diku më larg.

“Merremi vesh me ato (shitësit), e dinë përherë: 4 tosta kështu, 2 kështu. Po prapë presësh rend se s’mund hysh prej njerëzve. Ndonjëherë do tët ndale profesoresha në klasë ta përfundoje orën edhe shkojnë 5-7 minuta. Si të dalësh 2 minuta më vonë u sos puna”, thonë disa nxënës të gjimnazit.

“Ka te ne më shumë vende, por shpesh janë edhe studentë prej fakulteteve. Shohim te këto që janë si baraka në rrugë marrim më shpejtë. Për të hy brenda në ndonjë kafe ose lokal as që vjen në fjalë, se s’ka vend”, thotë një nxënëse e shkollës së mesme medicinale.

Nxënësit e shkollës së mesme të muzikës kanë deklaruar se shpesh porositin tostat ua sjellin te shkolla në kohën e pushimit.

“Krejt klasa porosisim prej në instagram. Jemi bezdis, po, tost përditë përditë, po s’kemi ndonjë zgjidhje kushedi çka. Çka mund të blejsh tjetër me 50 den? Veç tost”, thotë një nxënëse e shkollës së mesme të muzikës.

Një grup nxënësish të shkollës tekstile thanë se blejnë shumica gjëra prej në dyqan ose shkojnë te një bukëpjekës që është më afër. Ka një lokal përballë shkollës ku blejnë “fast food” për me vete, zakonisht aty rrinë profesorët.

Disa nxënës nuk ushqehen fare meqë nuk duan të merren me turmën dhe/ose u janë bezdisur tostat dhe hamburgerat. Për këtë ka patur edhe një pyetësor vitin e kaluar ku disa prej tyre janë shprehur se e anashkalojnë plotësisht vaktin ushqimor në shkollë.

“Nuk blej se nuk kam kohë. Marr ndonjëherë ndonjë gjë në dyqan. Mundohem të ha prej në shtëpi po ngrihem vonë”, tha një nxënës i medicinës.

“Unë për vete veç cigare blej. S’kam shumë nerva” tha një nxënës tjetër.

Pasojat e të ushqyerit keq përditë

enesa nesimi, nutricionist
Enesa Nesimi, nutricioniste në klinikën Diet & Smile

Nutricionistja Enesa Nesimi thotë se ushqimi i shpejtë, siç janë hamburgera, pica, patate të skuqura dhe produktet e tjera të përgatitura me shpejtësi, është i pasur me yndyra të larta, sheqer dhe kripë, por shpesh mungon në vlera ushqimore të rëndësishme si fibra, vitamina dhe minerale të nevojshme për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve. Konsumimi i pakët i ushqimeve të shëndetshme mund të çojë në mungesë të vitaminave dhe mineraleve thelbësore, dhe të shkaktojë probleme shëndetësore si mungesa e zinkut, hekurit dhe kalciumit, që mund të çojë në dobësi të mushkërive, anemi dhe probleme të tjera të shëndetit.

Ajo sqaroi për Portalb.mk se si ndikon konsumimi i ushqimit të shpejtë te fëmijët dhe adoleshentët.

“Konsumimi i shpeshtë i ushqimit të shpejtë mund të ketë disa ndikime të këqija në shëndetin e fëmijëve: Rritja e peshës, mungesa e vlerave ushqimore, ndikim negativ në zemër dhe enët e gjakut, zakonet e këqija të ushqyerjes… Duke konsumuar shpesh këtë lloj ushqimi, fëmijët mund të mos marrin të gjitha elementët e nevojshëm për rritjen dhe zhvillimin e tyre të duhur… Është e rëndësishme që fëmijët të ushqehen me një dietë të balancuar, që përfshin fruta, perime, proteina, dhe të kufizojnë sa më shumë ushqimin e shpejtë dhe ushqimet e përpunuara me shumë yndyrë, sheqer dhe kripë“, tha Nesimi.

Nga ana tjetër, sipas saj, anashkalimi i vakteve ushqimore çdo ditë sjell probleme si mungesa e energjisë dhe dobësia, humbje e peshës dhe deficite ushqimore, probleme me shëndetin e zemrës dhe sistemit kardiovaskular, probleme me sistemin tretës, humbje të aftësisë për të konsideruar dhe menduar më mirë.

“Fëmijët që nuk hanë apo hanë pak gjatë pushimit të shkollës mund të kenë edhe mungesë të energjisë dhe të vështirësi në qëndrimin e zgjuar dhe të përqendruar gjatë mësimit dhe aktiviteteve shkollore”, shtoi ajo.

Portalb.mk kërkoi nga Enesa Nesimi të komentojë mbi atë se çka mund të shitet në afërsi të shkollave që nuk merr shumë kohë për t’u përgatitur dhe nuk ka çmim shumë më të lartë se ushqimi i shpejtë. Ajo tha se ka lloje të ndryshme ushqimesh që mund të shiten në afërsi të shkollave dhe të konsumohen në 15 minutat e pushimit të gjatë. Disa nga këto ushqime janë:

  • Sanduiçet janë shumë të lehta për t’u përgatitur dhe janë një zgjidhje e shkëlqyeshme për pushimin e shkollës. Mund të zgjidhin sanduiçe me djathë, proshutë, mish pule, perime dhe sallatë për t’u siguruar se fëmija ka një ushqim të balancuar dhe të ngopur.
  • Frutat e freskëta si mollët, portokallet, bananet, rrushet dhe qershitë janë një zgjidhje e shkëlqyeshme për një ushqim të shëndetshëm dhe të shpejtë. Ato ofrojnë vitamina dhe minerale të rëndësishme dhe janë të përshtatshme për t’u konsumuar me shpejtësi.
  • Kos të thjeshtë, fruta të thata dhe mjaltë është një ushqim i shpejtë dhe i shëndetshëm, i cili ofron proteina dhe karbohidrate të lehta.
  • Mund të shohin për ushqime të paketuara me kujdes që ofrojnë një kombinim të shëndetshëm të frutave, perimeve, drithërave dhe proteina.