Nxënësit kthehen në bankat shkollore, edhe në gjysmëvjetorin e dytë do të ketë mungesë të librave

Sot nxënësit u kthyen në bankat shkollore duke filluar gjysmëvjetorin e dytë. Megjithatë mungesa e librave vazhdon të jetë pengesë për zhvillim cilësor të procesit mësimor. Nxënësit në Tetovë këtë gjysmëvjetor do ta fillojnë me mungesë të rreth 40 mijë librave.

“I vetmi problem që vazhdon të mbretet është mungesa e librave, ku na mungojnë mbi 40 mijë libra në shkollat fillore edhe të mesme. Nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe shkencës disa herë u zotuan se me fillimin e vitit shkollor, më pas thanë se deri në fund të muajt shtator do të furnizohen me libra, kur ministria Arsimit dhe Shkencës shpërndau në shkolla vetëm dy mijë deri në tre mijë libra. Ky numër i mungesës së librave, vazhdon të jetë i madh, që është një ndër elementet kryesore për zhvillimin e procesit arsimor”, tha Nazmi Dauti – Sektori për Arsim Tetovë.

Mungesa më e madhe e librave është në shkollat profesionale  ku në shumicën e lëndëve nuk ka asnjë libër.

 “Mungesë më të madh të librave ka në shkollat fillore, e sidomos mungesë të librave ka në shkollat profesionale ku kemi mungesë në lëndët profesionale. Edhe këta libra që janë në kuadër të shkollave janë të vjetruar dhe të dëmtuar edhe pse me ligj është që këta libra të shfrytëzohen brenda pesë viteve. Është jo logjike që një libër të shfrytëzohet pesë vite, sidomos nga klasa parë deri në të pestën ku fëmijët janë në një moshë, ku vetëm shfletimi i tyre dëmton ata e jo të qëndrojë pesë vite”, pohoi Nazmi Dauti – Sektori për Arsim Tetovë.

E për shkak të mungesës së librave nxënësit detyrohen të mësojnë nga shënimet që i marrin në orët mësimore. Disa të tjerë funksionojnë me libra të fotokopjuara ndonëse një gjë e tillë është e ndaluar.